Për Serbinë e Kristijan Goluboviqit - Gazeta Express
string(35) "per-serbine-e-kristijan-goluboviqit"

OP/ED

Gazeta Express

24/05/2023 9:43

Për Serbinë e Kristijan Goluboviqit

OP/ED

Gazeta Express

24/05/2023 9:43

Një kriminel nëntoke në Serbi ka emision televiziv, kriminelë të tjerë lufte lartësohen e dekorohen, televizionet e Aleksandër Vuçiqit prodhojnë urrejtje e dhunë, ndërkaq qindra mijëra protestues kundër dhunës, të cilët kërkojnë mbylljen e këtyre televizoneve, përqeshen e sulmohen nga pushteti. Mirë se vini në Serbinë e Kristijan Goluboviqit!

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Tri mitingje masive kundër dhunës janë organizuar në Beograd javët e kaluara, me rastin e vrasjeve të nxënësve dhe civilëve të tjerë, në dy raste të ndara. Por, pushteti i Aleksandër Vuçiqit këto tubime i ka cilësuar si antiqeveritare dhe, për më tepër, i ka përqeshur e përbuzur, duke shtuar mllefin tek qytetarët.

Si kundërpërgjigje, për datën 26 maj partia e Vuçiqit ka paralajmëruar një tubim të madh. Si rëndom, në Beograd pritet të sillen me autobusë përkrahës të Vuçiqit, të cilët janë pjesë e administratës publike në mbarë Serbinë.

Qindra mijëra qytetarët që kanë protestuar kundër dhunës dhe kanë kërkuar përgjegjësi nga shteti për tragjeditë që kanë ndodhur janë shprehur të irrituar edhe me një pjesë të mediave, të cilat mbështetin Vuçiqin dhe të cilat vazhdimisht nxisin dhe përhapin urrejtje. Kampionë të këtyre mediave me qasje fashiste janë tabloidet, ndër të cilat prin “Informer” dhe dy televizione, “Pink” e “TV Happy”.

Këto dy televizione janë të njohura për “reality show” “Zadruga” dhe “Farma”, në të cilat marrin pjesë edhe kriminelë dhe të cilat prodhojnë urrejtje, dhunë e mosdurueshmëri. Ndërkaq “Informer” dhe të përditshmet tjera tabloide janë armë në duar të Vuçiqit, për të sulmuar kundërshtarët politikë dhe gazetarët kritikë. Televizioni publik, RTS, është po ashtu në shërbim të pushtetit.

Mediat e pakta të lira dhe të pavarura vazhdimisht janë në shënjestër të mediave pro pushtetit dhe pronarët dhe gazetarët e tyre etiketohen me cilësimet më të ulëta dhe më të poshtra. Njësoj po etiketohen dhe sulmohen edhe protestuesit që po marrin pjesë në marshet kundër dhunës. Mediat proqeveritare po shfaqin vazhdimisht pamje të manipuluara, për t’i paraqitur si tubime me sa më pak pjesëmarrës, ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër.

* * *

Kristijan Goluboviq është një emër i njohur i nëntokës në Serbi, i dënuar për krime disa herë. Ai ka qenë pjesë e “reality show” në televizonet fashiste pro Vuçiqit, të cilat kanë shikueshmëri të madhe. Për më tepër, ai para disa muajsh ka nisur një emision të tijin në televizion, i titulluar “Përralla nga nëntoka”, në të cilin ai fton mysafirë kontraversë, por edhe tregon përvojat e tij kriminale.

Së fundi ka shkaktuar reagime të shumta prania e tij në një shkollë fillore, ku ka shkuar që të xhirojë një spot muzikor të një grupi, në të cilin spot është protagonist. Ndaj një xhirimi nga shkolla, që është publikuar në TikTok, e në të cilin “profesori” Goluboviq shihet duke komunikuar me nxënës, kanë reaguar prindërit e nxënësve dhe personalitete publike. Por, kjo nuk i bën përshtypje pushtetit, që tallet me qindra mijëra protestues, të cilët marshojnë kundër dhunës.

Njerëzit si Goluboviqi që janë shndërruar në yje të spektaklit dhe kriminelë të tjerë, të cilët kanë zënë pozita të rëndësishme në shtet, madje duke u dekoruar nga Vuçiq, tregojnë shumë për Serbinë e sotme. Tregojnë për një shtet me pushtet autokrat, që nuk zgjedh mjet as formë për t’i sulmuar e shtypur kundërshtarët politikë e kritikët, tregojnë për një president shteti që keqpërdor pushtetin për t’ia kundërvënë gjysmën e popullit “gjysmës tjetër” që kundërshton dhunën dhe urrejtjen.

Përkundër kësaj, Aleksandër Vuçiq vazhdon të jetë partner i Perëndimit dhe nga ai kërkohet që të respektojë marrëveshjet e arritura me Kosovën. Ndërkohë që ai çëshjen e Kosovës e shfrytëzon për të qëndruar në pushtet, për të manipuluar me qytetarët e vet dhe për të përfituar ndihma të mëdha financiare nga Perëndimi.

Zyrytarë të BE’së i mbyllin sytë edhe pse Vuçiq ende nuk i ka vënë sanksione Rusisë dhe bëjnë presion mbi Kosovën që të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara. Zyrtarë të BE-së e shohin normale lojën e Vuçiqit me Rusinë, por kanë krejt qasje tjetër karshi Kosovës, me të cilën tregohen të rreptë.

Në Serbi sot nuk mund të flitet as për media të lira, as për demokraci. Vuçiq e mban pushtetin me “Informerin”, “Pinkun”, “TV Happyn”, Kristijan Goluboviqin dhe kriminelë të tjerë.