Zvonko Veselinoviq, një biznesmen kontrovers nga Kosova, shpesh në publik, së bashku me Milan Radoiçiqin, përshkruhet si “zot i veriut të Kosovës”. Për shkak të lidhjeve me krimin e organizuar, që të dy prej vitit 2021 gjenden në “listën e zezë” të SHBA-ve. Në dhjetor të vitit 2022, edhe Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj Veselinoviqit dhe Radoiçiqit.
Emri i Veselinoviqit nuk është i panjohur as për strukturat e sigurisë dhe të inteligjencës në Bosnje dhe Hercegovinë, shkruan Stav.ba
Veselinoviq dhe vëllai i tij, Zharko Veselinoviq, sipas kontrolleve të “personave me interes të sigurisë” të Policisë Kufitare të Bosnjës dhe Hercegovinës, vitet e fundit kanë hyrë rregullisht në këtë shtet. Me këto informacione është e njohur edhe Agjencia e Inteligjencës e Bosnjës (OSA), dhe sipas burimeve jozyrtare, në Prokurorinë e Bosnjës që nga viti i kaluar ndodhet një material voluminoz mbi rolin e Zvonko Veselinoviqit në transportimin e shtetasve rusë dhe serbë nga Serbia deri në vendin e quajtur Vrbnicë në malin Zelengorë.
Sipas të dhënave të shërbimeve të sigurisë të Bosnjës, për këtë transport përdorej rregullisht një helikopter i Zvonko Veselinoviqit.
Gazetari nga Beogradi, Predrag Popoviq, ka shkruar se Veselinoviq bleu një helikopter Sikorsky S-76 në Gjermani.
Ky model amerikan, i cili mund të transportojë 12 pasagjerë dhe 2 pilotë, me një rreze fluturimi prej 761 km, kushton rreth gjysmë milioni euro. Veselinoviq e ka lyer helikopterin me ngjyrat e flamurit serb dhe e ka parkuar në hangarin e aeroportit të Batajnicës. Të njëjtin model helikopteri përdor edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Të dy e përdorin për arsye sigurie, megjithatë gjithnjë më shpesh fluturojnë në drejtime të ndryshme — shkruan Popoviq.
Në Vrbnicë janë ndërtuar disa shtëpi për strehimin e këtyre personave me biografi të dyshimtë, dhe një prej tyre përdorej nga një shtetas rus, ish-oficer i GRU-së (agjencia ushtarake e inteligjencës së Rusisë). Vizitorë të shpeshtë në Vrbnicë ishin gjithashtu edhe anëtarë të organizatave ekstremiste të djathta serbe.
Lidhjet me Vuçiqin dhe mbështetja nga autoritetet serbe
Zvonko Veselinoviq konsiderohet mik i ngushtë dhe i besueshëm i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky biznesmen kontrovers, si nga Vuçiq, ashtu edhe nga ish-kryeministrja Ana Bërnabiq, është mbrojtur shpesh në deklaratat publike.
Kur më thoni “grupi kriminal i Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radoiçiqit”, atëherë më tregoni aktgjykime që vërtetojnë se ata janë grup kriminal, ose mos vazhdoni më tej, sepse këtë e ka kërkuar edhe presidenti Aleksandar Vuçiq. Mos kriminalizoni serbët e Kosovës. Mos kriminalizoni Serbët e Listës Serbe, ka deklaruar Bërnabiq.
“Personazh famëkeq për korrupsion”
Sipas portalit Nova.rs, Veselinoviq dhe Radoiçiq janë kumbarë dhe janë lidhur disa herë me krime të rënda, por asnjëherë nuk janë dënuar. Vuçiq mohon vazhdimisht çdo lidhje me ta. Veselinoviq, i cilësuar nga Departamenti Amerikan i Thesarit si “person famëkeq për korrupsion”, është arrestuar disa herë për vepra të ndryshme penale. Është lidhur me vrasje, trafikim droge, vjedhje automjetesh e kamionësh, ngritjen e barrikadave në kufijtë e Jarinjës dhe Bërnjakut dhe me shfrytëzim të paligjshëm të zhavorrit.
Edhe pse në media është paraqitur si një biznesmen i ligjshëm në fushën e transportit dhe ndërtimit, raportet e policisë serbe dhe të shërbimeve të inteligjencës japin një tjetër pamje: atë të një udhëheqësi të nëntokës kriminale me ndikim në të gjitha qytetet me shumicë serbe në rajon, ka raportuar KRIK.
Emri i tij është përmendur për herë të parë në Librin e Bardhë të Krimit të Organizuar, një dokument i policisë serbe që doli në publik në fillim të viteve 2000. Veselinoviq përshkruhej si udhëheqës i një grupi që “vjedhte automjete në Mitrovicën e Kosovës dhe i kontrabandonte nga pjesa jugore (shqiptare) në pjesën veriore (serbe) të qytetit, duke vepruar gjithashtu edhe në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Serbisë”. Policia njoftonte se veprimtaritë e tjera të këtij grupi përfshinin zhvatje dhe falsifikim dokumentesh.
Raporti i BIA-s: Trafik droge, kontrabandë armësh e nafte, fajde…
Gjatë dekadës së ardhshme, Veselinoviq e zgjeroi fuqinë dhe aktivitetet e tij, thuhet në një raport të BIA-s (Agjencia e Inteligjencës së Serbisë) nga marsi i vitit 2011, të nënshkruar nga ish-drejtori i saj, Saša Vukadinoviq. Në dosjen e inteligjencës, që gazetarët e KRIK-ut e gjetën ndër dokumentet gjyqësore, Veselinoviq përshkruhet si udhëheqës i një grupi që merrej me trafik droge, kontrabandë armësh dhe nafte, fajde dhe pastrim parash. Thuhet se kishte lidhje të mirë-etabluara jo vetëm me komunitetin serb në Kosovë, por edhe me grupe të caktuara në Serbi dhe me kriminelë të shquar shqiptarë në Kosovë.
Gazetarët e KRIK-ut kanë siguruar fotografi që tregojnë takime midis Andrej Vuçiqit (vëllait të presidentit të Serbisë) dhe Zvonko Veselinoviqit. Këto fotografi konfirmojnë dyshimet për lidhjet e vëllait të presidentit me këtë personazh famëkeq në Kosovë, i cili, sipas raporteve të policisë dhe BIA-s, është i përfshirë në shumë vepra penale.
Përfshirja në dhunën kundër KFOR-it
Në dhjetor të vitit 2011, KFOR-i e ka cilësuar Zvonko dhe Zharko Veselinoviqin si organizatorët kryesorë të dhunës kundër forcave ndërkombëtare në pikat kufitare në Jarinjë dhe Jagnjenicë në veri të Kosovës. Të dy u arrestuan atëherë në Kopaonik.
Komandanti i KFOR-it në atë kohë, Erhard Dreës, deklaroi se organizatorët dhe udhëheqësit e dhunës kundër forcave ndërkombëtare në barrikadat në Jagnjenicë dhe Jarinjë ishin pikërisht Zvonko dhe Zharko Veselinoviq, duke shtuar se KFOR-i kishte filmime që e provonin këtë.
Vëllezërit Veselinoviq kanë të paktën gjashtë kompani
Sipas Nova.rs, në gushtin e vitit të kaluar, kompania Novi Pazar-put, në pronësi të Zvonko Veselinoviqit, përsëri fitoi kontrata shtetërore, dhe që nga fillimi i vitit 2024 ka lidhur kontrata me vlerë afro gjysmë milioni euro.
Për Veselinoviqin, duket se as lidhjet me vepra të ndryshme penale, as fakti që është nën sanksione nga SHBA-të, nuk e pengojnë që të vazhdojë të bëjë biznes të suksesshëm me ndërmarrjet shtetërore.
Kompania Novi Pazar-put merret me ndërtimin e rrugëve dhe autostradave, por publiku e njeh më shumë për shkak të pronarit. Ajo është filialë e kompanisë Inkop, në pronësi të Zvonko Veselinoviqit, i cili ka 60% të aksioneve, ndërsa 40% i përket vëllait të tij, Zharko, i cili ka qenë edhe më i pranishëm në Bosnjë gjatë viteve të fundit.
Zvonko Veselinoviq është lidhur me vepra të ndryshme penale — nga trafikimi i drogës, përfshirja në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, deri te nxjerrja e paligjshme e zhavorrit, dhe është nën sanksione të Departamentit Amerikan të Thesarit. Megjithatë, kjo nuk e pengon që të ketë marrëdhënie të mira me shtetin.
Aktualisht, në perandorinë e biznesit të Zvonko Veselinoviqit, të cilën zyrtarisht e ndan me vëllain e tij, Zharko, funksionojnë të paktën gjashtë kompani, pa përfshirë një tjetër kompani që zotëron në Mal të Zi. Përmes këtyre kompanive, ai ka blerë ose regjistruar pothuajse të gjitha pronat e tij, vlera e tregut të të cilave tejkalon 13 milionë euro, sipas vlerësimeve për një pjesë të objekteve luksoze që i posedon Veselinoviq.
Vukanoviq: Veselinoviq emëron dhe shkarkon njerëz në Republikën Srpska
Edhe deputeti në Kuvendin Popullor të Republikës Srpska, Nebojsha Vukanoviq, në disa raste ka folur për bizneset e dyshimta të Zvonko Veselinoviqit në entitetin e RS-së, si dhe për faktin që ai emëron dhe shkarkon njerëz nga pozitat drejtuese atje.
Për të mbuluar boshllëqet e mëdha në buxhet, Qeveria e Republikës Srpska ka filluar shitjen dhe shpërdorimin e paligjshëm të pasurisë publike, dhe një nga abuzimet më të mëdha është shitja e tokës në Jahorinë për 41 milionë marka. Tokën formalisht e bleu këshilltari i SNSD-së në Kuvendin e Komunës së Tesliqit, Srđan Kleçanin – Rufi, por mbetet e dyshimtë se nga i siguroi ai kaq shumë para, pasi kompania e tij Drvo-eksport, e cila shfrytëzon pa kontroll pyjet shtetërore në malin Borja dhe në rrethinën e Tesliqit, nuk ka të ardhura që do të justifikonin një kapital dhe pasuri të tillë.
Sipas informacioneve të mia, Rufi është vetëm një mbulesë për kapitalin e Zvonko Veselinoviqit, biznesmenit nga veriu i Kosovës, i afërt me pushtetin në Serbi, i lidhur me afera të shumta. Ashtu si me minierën e qymyrit në rrethinën e Prijedorit, e cila u hap së fundmi pavarësisht kundërshtimit të qytetarëve, dhe ku qymyri eksportohet në Serbi — ku Rufi paraqitet thjesht si pronar formal — e njëjta skemë po përdoret edhe me blerjen e tokës në Jahorinë. Rufi dhe Zvonko Veselinoviq njihen dhe shoqërohen prej vitesh, sidomos gjatë gjuetive në Parkun Kombëtar Sutjeska, dhe nga ky miqësi ka lindur edhe një partneritet biznesi në punë të mëdha të kurdisura me shtetin, pasi kanë shfrytëzuar afërsinë me pushtetin në të dy anët e Drinës — deklaroi Vukanoviq vitin e kaluar.
Vuçiq i mbron: Në fund do t’i akuzojnë…
Në fund të vitit 2021, Departamenti Amerikan i Thesarit e futi Zvonko Veselinoviqin në listën e sanksioneve. Në të njëjtën listë u përfshinë edhe vëllai i tij, Zharko Veselinoviq, Milan Radoiçiq, dhe edhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.
Departamenti i Thesarit të SHBA-së e identifikoi Zvonko Veselinoviqin si lider të një grupi të organizuar kriminal dhe si një nga figurat më të korruptuara në Kosovë. Sipas SHBA-ve, grupi kriminal i Veselinoviqit është i përfshirë në një skemë të gjerë ryshfetesh, së bashku me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë skemë korruptive përmenden edhe politikanë, të cilëve Veselinoviq u ndihmonte gjatë fushatave zgjedhore, dhe në këmbim ata e “shpërblenin” me kontratat më të mira infrastrukturore.
Në fund do t’i akuzojnë se nuk e respektojnë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo është tashmë çështje e tyre. Nëse ka akuza serioze, organet tona shtetërore do t’i hetojnë siç duhet — deklaroi presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në dhjetor 2021, sipas Radios Evropa e Lirë (RSE).
Vëllai i Vuçiqit, Veselinoviq dhe Lukaç në “komunikimet sky”: Zvonko dhe Andrej festuan një miliardë
Portali malazez Vijesti.me ka raportuar mbi “komunikimet sky” të anëtarëve të klan Kavaçit. Një nga bashkëpunëtorët e afërt të këtij klani ishte edhe polici Ljubo Miloviq. Miloviq dhe Miloš Božoviq për muaj me radhë kanë komentuar mbi shërbimet e sigurisë në Mal të Zi dhe Serbi, si dhe mbi klanet kriminale që veprojnë në territoret e këtyre dy shteteve. Në një moment ata konstatuan se Andrej Vuçiq dhe Zvonko Veselinoviq “i mbajnë të gjitha fijet në dorë” dhe se kohët e fundit kishin festuar “miliardën e parë”.
Miloviq është proceduar në disa raste penale për krim të organizuar, ndërsa ndaj Božoviqit po zhvillohet gjyqi për nxitje për vrasjen e Ranko Vuletiqit në Nikshiq.
Gjatë bisedave të shumta, Miloviq i referohet informacioneve që i merr nga “shërbimi ynë”, ndërsa Božoviq i referohet Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA).
A beson ti se shërbimet i incizojnë dhe i ndjekin të gjitha ato takime të tyre, unë nuk mund ta besoja deri sa pashë një video nga një lokal — shkruan Božoviq.
Bashkëbiseduesi i përgjigjet se është dakord me këtë pohim:
Të gjitha, të gjitha. Shërbimi atje është i fortë. Kanë ekipe për incizime të fshehta… Qytet i madh, prandaj munden — thotë Miloviq.
Thonë që Zvonko dhe Andrej festuan “miliardën” para pak kohe — shkruante Miloviq në mars të vitit 2021.
Andrej Vuçiq është vëllai i lindur i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa Zvonko Veselinoviq konsiderohet si bashkëpunëtor i afërt i tyre.
Po, në qytetet tona është gjithnjë e më e vështirë, sepse bie në sy — i përgjigjet Bozhoviq.
Po, lëvizin lirshëm. Unë e ndjek pak lëvizjen e tij, për qejf. Kam shumë video dhe foto nga pyjet — thotë Bozhoviq.
Pastaj shpjegon se shkojnë për gjueti me helikopter, bashkë me ish-ministrin e atëhershëm të Policisë së Republikës Srpska, Dragan Lukaç.
Kush e di kur do t’u hyjë në punë kjo — sqaron Bozhoviq.
Më pas pohon se “djemtë e mi” për të dhe për Andrejin janë përleshur me Nevoljën (pseudonim i një personazhi të njohur të krimit) dhe me policinë.
Stefanoviqi (ish-ministri serb i Brendshëm) donte ta dobësonte Vuçiqin që të bëhej vetë president.
Miloviq kthehet te tema e gjuetisë me helikopter:
Imagjino ti, shkon për gjueti me helikopter.
Po, vranë shtatë dhi të egra brenda një dite… Ai dhe Lukaç… Gjithçka është e regjistruar, çdo gjë filmohet dhe ndiqet… Fluturon pa leje, pa asnjë dokumentacion…
Margetiq: Veselinoviqi hyn lirshëm në Bosnje dhe sjell para cash për njerëzit e Dodikut
Vitin e kaluar, në qershor, gazetari kroat Domagoj Margetiq ka shkruar për Zvonko Veselinoviqin.
Interesante, ndërkohë që gazetarin investigativ Domagoj Margetiq, i cili përveç të tjerash po heton operacionet e nxjerrjes dhe pastrimit të parave rreth Prijedorit, e mbajnë të arrestuar, mbrëmë rreth orës 19:30 Zvonko Veselinoviq, edhe pse ndodhet në listat e zeza ndërkombëtare, hyri lirshëm në Bosnje dhe Hercegovinë, me një xhip të zi me targa të Beogradit, dhe mbërriti në orët e mbrëmjes në Prijedor, në vendin e quajtur Bukova Kosa, ku pikërisht këto ditë kanë dëmtuar jo vetëm pronat private, por kanë edhe ndotur ujin e pijshëm të banorëve të zonës përreth Prijedorit.
Sipas informacioneve nga ndjekja e Veselinoviqit, si një person në listat e zeza ndërkombëtare, dje ka sjellë edhe shuma shtesë parash cash, të cilat ia ka dorëzuar njerëzve të Dodikut.
Kujtojmë se pikërisht gazetari që aktualisht mbahet i arrestuar në Serbi ka ngritur padi penale kundër Veselinoviqit, Kleçaninit, Usoracit dhe të tjerëve për krim të organizuar dhe pastrim parash.
Domagoj, para se të arrestohej, po përfundonte plotësimin e kallëzimit penal me përshkrimin e lidhjeve të Stefan Usoracit me Veselinoviqin dhe të tjerët (ku Usoraci është caktuar nga ministri i energjetikës i Dodikut si “oficer lidhës” me Veselinoviqin dhe njerëzit e tij për operacionet financiare në zonën e Prijedorit dhe më gjerë). Nëse së shpejti nuk lirohet për ta dorëzuar personalisht këtë kallëzim të plotësuar, ne si kolegët e tij do ta dërgojmë këtë plotësim të kallëzimit në emrin e tij — ka shkruar Margetiq.
aaaaa