Shkruan Arben Idrizi: Për Odradekun, përkatësisht Asociacionin - Gazeta Express
string(39) "per-odradekun-perkatesisht-asociacionin"

OP/ED

Gazeta Express

27/04/2023 15:02

Shkruan Arben Idrizi: Për Odradekun, përkatësisht Asociacionin

OP/ED

Gazeta Express

27/04/2023 15:02

Asociacioni zgjon asociacione. A është më afër tash që po lind, apo kur do të jetë më afër në mesditë? A është më i nxehtë tash që po lind, apo do të jetë më i nxehtë në mesditë?

Shkruan: Arben Idrizi

Lexo Edhe:

1.

Në njërën prej rrëfenjave në Traktati i boshllëkut të përsosur, të Liehzi, hasim në një Konfuç jo të rëndomtë – i urti i famshëm nuk do të dijë, në dukje, t’i gjejë derman një problemi fëmijëror. Rrëfenja anekdotike është fare e thjeshtë dhe e qartë: dy fëmijë po grinden rreth një problemi; njëri thotë se dielli është më larg kur lind se sa në mesditë, tjetri thotë se është më afër kur lind se sa në mesditë; argumenti i të parit është se kur lind dielli është më i ftohtë, ndërsa në mesditë është si ta futësh dorën në ujin e valuar (a nuk është vallë më e nxehtë ajo që është më afër dhe më e ftohtë ajo që është më larg); i tjetrit se kur lind dielli është i madh si një rrotë qerreje, ndërsa në mesditë sa një pjatë, ose çanak (a nuk është vallë më e vogël ajo që është më larg dhe më e madhe ajo që është më afër).

Si të tilla, argumente ta pakundërshtueshme, ose të paktën valide. Brenda kësaj kornize, secili nga ne do të dorëzohej; do të largohej tutje me buzëqeshjen e atij që është zënë ngushtë si një budalla dhe prapëseprapë është i kënaqur soje.

2.

Edhe te Kafka, te tregimi i tij i njohur “Shqetësimet e një kryefamiljari”, kemi një problem kështu të pazgjidhshëm. Halli, ndër të tjera, është nga vjen termi «odradek»? Ky është edhe inçipiti (në përkthimin e A. Klosit): «Një palë thonë se fjala odradek vjen nga sllavishtja dhe duan ta shpjegojnë duke u nisur nga kjo ndërtimin e kësaj fjale. Një palë tjetër thonë se vjen nga gjermanishtja, nga sllavishtja vetëm ka pësuar ndikim. Mirëpo të dyja këto interpretime janë kaq të pasigurta saqë me të drejtë vjen në përfundimin se asnjëri nuk është i saktë, sidomos ngaqë asnjëri nuk i nxjerr ndonjë kuptim kësaj fjale».

3.

Po cila është domethënia që i veçon, ose e kundërta, që i barazon termat “Asociacion” dhe “Vetëmenaxhim”?

Cilado që të jetë e vërteta, kur nuk dëshirojmë ta pranojmë, mund të mbështetemi te lojët e fjalëve. Për veten tonë, për grupin që përfaqësojmë, për ndjekësit tonë, interpretimi ynë do të jetë ai që do ta vlejë vulën e së vërtetës. Sepse ashtu do të dëshirohet dhe sepse, ndoshta, ashtu përnjëmend do të besohet, verbërisht (siç nuk përjashtohet se ashtu, me qëllim mashtirmi, dëshirohet të imponohet).

Në momentin kur jemi pre të diskutimit, në mjegullën e diskutimit, për më tepër pra kur ende nuk ka zhvillim praktik, as status të asocacionit/vetëmenaxhimit, atributet që mund t’ia veshim janë gjithmonë ato që ne pretendojmë (jo që e dimë saktësisht) se duhet t’i ketë. Sa më shumë që të jemi në siklet prej tij, aq më shumë do të turremi t’ua përplasim për surrati të tjerëve interpretimet tona.

Në fund, cilido që të jetë kuptimi i vërtetë i termave, në fund fare pra, do të ketë rëndësi vetëm përmbajtja që do të bartin ato terma.

Ndoshta më e mira është që asociacioni të themelohej nga një palë e tretë, asnjanëse, BE dhe ShBA, meqë të dy palët që janë të thirrura ta themelojnë, Kosova dhe Serbia, nuk kanë vullnetin e mirë, qëndrimin human dhe korrekt ndaj problemit. Cilido që të jetë termi me të cilin do ta emërtojnë, përmbajtja e tij, sipas të gjitha gjasave, do të jetë ajo që kërkohej që në fillim, një ombrellë e komunave me shumicë serbe, nën të cilën banorët serbë të Kosovës do t’i realizojnë të drejtat e tyre, kryesisht ekonomike e kulturore, gjithmonë duke mos i tejkaluar kufizimet që i vë Kushtetuta e Kosovës.

Asgjë për t’u frikësuar, asgjë për t’u mburrur.

Sado që t’u dhembë pastaj dy palëve në armiqësi, secila prej tyre do ta interpretojë sipas qejfit të vet. Njëra se e siguroi asociacionin që tejkalon shtetin të cilin s’e njeh. Tjetra se, me kërkesë të aleatëve, ua dha banorëve të vet të një entie tjetër, si një dhuratë shtesë, një mundësi të vetëmenaxhohen në kushte të caktuara.

4.

Odradeku, në tregimin e Kafkës ajo «rrotulla e dystë në trajtë ylli… mbështjellë me pe», sipas Benjaminit «bastardi më i çuditshëm», «është forma që gjërat marrin në harresë».

Për të dy palët, Serbinë dhe Kosovën, sipas qejfit dhe frikës përkatëse, asociacioni është thjesht një odradek. Serbia dëshron të na e fusë si një «bastard të çuditshëm» të vërtetë, sipas ëndjes së vet, Kosova dëshiron ta paraqesë para publikut dhe në esencë ta refuzojë, edhe në formën e tij më demokratike dhe të lejueshme, si një «bastard të çuditshëm» të vërtetë.

Prandaj tashmë asociacioni (i shndërruar në odradek, derisa të themelohet), «është forma që gjërat marrin në harresë», ajo gjëja që «rri herë në papafingo, herë në shkallë, herë korridore», si një çamarrok që sillet ngado, nëpër hapësirat e territorit. Se kur e pyet «Ku banon?», përgjigjja e tij është: «Vendbanimi i papërcaktuar».

Odradeku «s’i bën dëm askujt». Këtë e dinë të dy palët. Vetëm se, në armiqësinë e tyre, shqetësimet e kryefamiljarëve janë në relacion me egon e tyre nacionaliste e fashiste: kryefamiljari serb tutet se asociacioni s’do të ketë kompetencat minuese për shtetin e Kosovës siç do të donte ai; kryefamiljari kosovar tutet se vetëmenaxhimi, ashtu i padëmshëm siç është, i mbeti në dorë dhe do të jetojë edhe pas vdekjes së tij; se në të vërtetë më tepër do të përdoret nga oponentët e tij politikë brenda vendit si armë kundër tij dhe kështu do t’i rrezikohet pushteti.

Asociacioni pra zgjon asociacione.

A është më afër tash që po lind, apo do të jetë më afër në mesditë? A është më i nxehtë tash që po lind, apo do të jetë më i nxehtë në mesditë?

Pyetje fëmijërore, apo jo?!