Për ne dhe qentë - Gazeta Express
string(16) "per-ne-dhe-qente"

Gazeta Express

08/02/2020 11:27

Për ne dhe qentë

Gazeta Express

08/02/2020 11:27

Shqiptare: Në sezonin e vjeljes së rrushit, i zoti është i obliguar qenin ta mbajë të lidhur për stelë. Qeni që zihet në vresht, vritet pa pasur të drejtë askush të kërkojë kompensim. Prandaj, jo kot, thonë edhe sot: “Shkoi si qeni në rrush!”.  Amerikane: I vetmi mik absolut (besnik) pa egoizëm, që mund të ketë njeriu në këtë botë egoiste, i vetmi që nuk e tradhton kurrë atë, i vetmi që kurrë nuk mund të bëhet i pafalenderueshëm dhe tradhtar, është qeni.

Shkruan: Ibrahim Berisha

Lexo Edhe:

Nuk është se etnokultura jonë nuk njeh dashurinë dhe mirësjelljen për kafshët. Përkundrazi, ka një traditë të specifikuar, mitologjike madje, shumë të pasur, e studiuar posaqërisht ndërmjet Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore nga etnologë, antropologë, teologë etj, shqiptarë dhe të huaj. Kur në fillim të viteve 2000 doli me shqetësimin publik artistja e famshme franceze e filmit Birzhit Bardo, për të gjykuar sjelljen “joqytetare” në Kosovë për qentë, dukej kjo një befasi, ngase Bardo, kish dhimbje për ta dhe informacion më të shumtë, se kish për fatkeqësinë e njerëzve në luftën që kish ndodhur dhe la mbas shumë vuajtje dhe plagë. Po, natyrisht dashamirësja e qenëve Bardo, këtë mision mirë që e transmeton kudo që mundet, vazhdimisht madje, duke qenë kështu, një zë për të ruajtur baraspeshën ndërmjet gjithë qenieve dhe bimëve në botën tonë. Edhe të qenëve. “Unë ju lutem që të hetoni sulmet e bëra ndaj qenve në Prishtinë, brenda tri javëve të kaluara dhe ju bëj thirrje që të ndaloni atë masakër”, shkruan Bardo në letër, njofton AFP. “Mbi 200 qenë janë vrarë, ndërsa me dhjetëra i janë nënshtruar agonisë së gjatë”. Ndërsa në vitin 2017 sulmon presidentin francez se ai nuk ka mëshirë ndaj kafshëve dhe natyrës.

E vërteta, etnokultura shqiptare ka krijuar interpretime, sqarime, kulte etj, për kafshët dhe bimët, po në këtë kontekstin edhe të ruajtjes së biodiversitetit, megjithëse e natyrshme, nuk e kish njohur deri vonë konceptin interpretues shkencor e as modern të këtij nocioni.

Nuk ka shtëpi pa Qenin e Shtëpisë. Ishte kështu dikur. Shtëpia pa qen nuk kishte shenjë, derë oborri dhe nderim njerëzie. Qeni ka pasur përkujdesjen e posaçme nga të gjitha qeniet tjera në një shtëpi.

Edhe kur ka vdekur, ceremonia e varrimit  të tij ka qenë pikëlluese; kështu brezave të mëhershëm u ka rënë të shohin vdekjen e qenit tek stela, ku ai kishte kaluar jetën e tij gjatë ditëve me diell, me shi apo me borë. Netëve për dhjetë-dymbëdhjetë vjet tek kishte qenë roje e shtëpisë. Një roje e besueshme e oborrit, sikur që ishte roje e besueshme i themelit, i mureve, vatrës, Gjarpri apo Ora e Shtëpisë.

Deri vonë ka jetuar besimi i përbashkët; një përtëritje fjalësh të grave apo burrave kur pëshpërisin se ne jemi shumë të sigurt, pasi kemi tre roja: Orën (secili fis din me kallxue ku rri ora e tij dhe se çfarë ngjyre ka (Bota Shqiptare, 1943), Gjarprin (duhet me lidhë besë burrat me te në ditën e pranverës) dhe Qenin, rojën dhe besnikun e familjes.

Qeni i shtëpisë vdes dhe pas la pikëllim e dëshpërim, sepse vështirë do të gjendet një rojtar aq i pakushtueshëm dhe i durueshëm, trim dhe i pa urrejtje. Qeni është e vetmja roje e diktueshme që na mbështet përpara çdo rreziku. Edhe ora e gjarpri sigurisht na mbron pa e ditur fare ne . Një këlysh në fillim, pastaj një gjysmëqen dhe në fund një qen po aq besnik sa i pari, zotëron hapësirën e oborrit brenda tetë apo nëntë muajve. Ai qen pastaj, bëhet një mik i besueshëm me të drejtë, një vetëkontrollues i ndershmërisë dhe i besnikërisë së tij. Sakrifica pa përfillur edhe shëndetin, e bën edhe këtë qen pjesë të dëlirshme të shtëpisë dhe të familjes.

Por, secila shtëpi dhe secila familje, secila shtëpi me oxhak si thuhet, kishte qenin e vetë. Kanuni i Lekë Dukagjinit e mbron qenin e shtëpisë si pjesë e qenësishme dhe e njerëzishme e saj.

Nuk ka ekzistuar respekti për qenin vetëm tek ne, por gjithkund, në variante të ndryshme, kuptohet.       

Në vitet tridhjetë të shek.XX, në Misuri të Amerikës, një njeri ngrehu padi kundër fqinjit për t’i paguar dyqindtë dollarë, pse ai ia kishte vrarë qenin. Ai mbrojtës angazhoi senatorin Uest. Ky në gjyq bëri një mbrojtje të mrekullueshme, që mbetet një margaritar në gjyqësi. Po e japim mbrojtjen sipas përkthimit të I. Qershenikut.

” Zoti gjykatës! Miku më i mirë që ka njeriu në këtë botë mund të kthehet e të bëhet armik i tij. Djali dhe vajza e tij që i ka rritur me kujdesin më të madh mund të bëhen të pafalenderueshëm. Ata që janë më të afërt e më të dashurit tonë, ata që ne i besojmë nga thellësia e zemrës, mund të bëhen tradhtarë të besës së tyre. Të hollat që ka njeriu mund t’i humbasin; ato mund t’i ikin nga dora atëherë kur ai ka nevojë më të madhe për to. Fama e një njeriu mund të sakrifikohet në një moment, për një veprim të keqkonsideruar. Popujt që janë gati të na bijnë në gjunjë për nderim, kur suksesi është me ne, ata mund të jenë të parët të hedhin gurë kur fatkeqësia lëshon retë e saj mbi kokat tona. I vetmi mik absolut (besnik) pa egoizëm, që mund të ketë njeriu në këtë botë egoiste, i vetmi që nuk e tradhëton kurrë atë, i vetmi që kurrë nuk mund të bëhet i pafalenderueshëm dhe tradhtar, është qeni.

Qeni i një njeriu rri pranë tij si në lumturi ashtu edhe në fatkeqësi. Si në shëndet të mirë ashtu edhe në sëmundje. Ai pranon të fle mbi tokën e ftohtë, kur fryn e të pret era e dimrit; ai këtë e bën vetëm e vetëm që të jetë pranë të zotit. Ai puth dorën që s’ka t’i japë bukë. Ai lëpin plagën e të zotit që i janë bërë prej botës së ashpër. Ai ruan të zotin e tij të shkretë sikur ky të ishte një princ. Kur gjithë miqtë largohen ai përsëri mbetet pranë. Ai është i qëndrueshëm në dëshirën e tij sikundër që është dielli në udhëtimin e tij në qiell. Në qoftë se fati e shpie të zotin e shtëpisë të mbetet pa miq e pa plang, qeni besnik nuk kërkon privilegje më tepër se nga ai që e shoqëron ta ruajë kundër rrezikut, duke luftuar kundër armiqve të tij. Kur arrin skena e fundit, vdekja e të zot, trupi i tij shtrihet mbi tokën e ftohtë; s’ka gjë që të gjithë miqtë e tij ikin, se pranë tij gjendet qeni besnik, i cili vë kryet ndërmjet dy këmbëve të para, me sytë e tij të hidhëruar, por të hapur, gati me vërejtje, besnik i vërtetë edhe në vdekje”. Gjyqi pas kësaj fjale dha vendimin për t’i paguar paditësit 500 dollarë nga 200 sa i pat kërkuar. 

Në sezonin e vjeljes së rrushit, i zoti është i obliguar qenin ta mbajë të lidhur për stelë. Qeni që zihet në vresht, vritet pa pasur të drejtë askush të kërkojë nga vrasësi kompenzim. Qeni që dëmton vreshten me kalaveshë të pjekur, konsiderohet bredhacak dhe pa të zot. Për dëmtuesit llaskucë në as një rast nuk flitet, pasi ai që në çastin e vrasjes konsiderohet rast i përfunduar. Prandaj, jo kot, thonë edhe sot: “Shkoi si qeni në rrush!”.