Për inatin dhe hatërmbetjen - Gazeta Express
string(27) "per-inatin-dhe-hatermbetjen"

Gazeta Express

10/07/2020 13:04

Për inatin dhe hatërmbetjen

Gazeta Express

10/07/2020 13:04

Nuk duket aspak të jetë në interesin e subjekteve politike e mira e përbashkët e vendit. As edhe për një fije të vetme. Përkundrazi. Arsyeja, përgjegjësia, korrektësia dhe humanizmi do t’i bënin të vepronin ndryshe, po t’i kishin. Nuk duket t’i kenë, parë nga ajo si flasin dhe si veprojnë

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Opinionin e gjerë është duke e habitur pa masë fakti se subjektet politike nuk arrijnë dot, në një gjendje ekstreme si pandemia e sotme, të ulen në tavolinë bashkë për t’i kryer cë punë që kanë të bëjnë me të mirën e përbashkët. Për shkak të inateve dhe hatermbetjeve, nuk pranojnë as t’i kalojnë në Kuvend marrëveshjet ndërkombëtare që, në këtë kohë humbjesh të vazhdueshme ekonomike, do të sillnin për vendin fonde jo thjesht të mirëseardhura, por edhe pothuajse shpëtimtare. Madje, nuk duan të pajtohen as të sjellin një ligj kundër vetë pandemisë, me anë të të cilit do të mundësohej një menaxhim më i lehtë dhe më i suksesshëm i krizës.  

Ironia më e madhe është se inatçinjtë më të mëdhenj në këtë rast (në përgjithësi, në raste të tilla) janë edhe moralizuesit më të mëdhenj. Për pasojë, shpesh është është e vështirë të dallohet kush e nëse dikush ka të drejtë. Sepse ngjan sikur të gjithë kanë të drejtë, e kur në një kuvend kundërthëniesh që zgjerohen kanë të drejtë të gjithë, do të thotë se nuk ka të drejtë askush.

Dhe në parim, prirja për moralizim është pothuajse përherë prirje për të fshehur, për të ngatërruar, për të mashtruar.

Inati është ndjenjë e individit, por pastaj edhe e grupit. Ndonjëherë është më e rrezikshme tek individi, e ndonjëherë te grupi. Grupi do të duhej ta përballonte më mirë, e kur nuk e arrin këtë, atëherë rreziku është edhe me pasoja më fatale. Sepse atëherë kjo ndjenjë kalon në kor dhe zëri/gjesti i korit është më i fuqishëm se çdo zë/gjest individual, i arsyeshëm ose i paarsyeshëm.

Për këtë, inatet dhe hatërmbejtjet grupore, pra të subjekteve politike, janë me pasoja fatale për ne, qytetarët, pavarësisht a jemi votues të tyre, të ndonjërës prej tyre, apo jovotues.

Por, çka do të thotë hatërmbetje? Do të thotë të jesh prekur nga një veprim a fjalë e dikujt. Secili subjekt politik në vend mund të gjejë një moment kur do t’i jetë bërë një veprim që do ta ketë lënë tepër të pakënaqur, duke e konsideruar të (a duke qenë vërtet i) padrejtë. Nuk e mban asnjëri vendin e parë të viktimës. Nuk është asnjëri vetëm njëra anë. Andaj nuk kanë asnjë kuptim këmbënuljet për të luajtur rolin e palës hatërmbetur, duke e rënduar atë ndjesi personale, grupore, mbi kurrizin e brishtë dhe pothuajse të thyer të shoqërisë.  

Se, në të vërtetë, duke ndjekur rrjedhën e kësaj që thashë, nuk i bie aspak të jetë në interesin e subjekteve politike e mira e përbashkët e vendit. As edhe për një fije të vetme. Përkundrazi. Arsyeja, përgjegjësia, korrektësia dhe humanizmi do t’i bënin të vepronin ndryshe, po t’i kishin. Nuk duket t’i kenë, parë nga ajo si flasin dhe si veprojnë. Si të tilla, ngjajnë vetëm në ca shushunja, të ngjitura në lëkurën e tharë dhe të rrjepur të shoqërisë. Pasi ia kanë thithur gjakun, por ia zënë frymën. Për të mos përfunduar me akuzën e merituar, akuzojnë se nuk po kanë çfarë të përfitojnë (më).   Pa dashur të jem patetik, një prej shprehjeve më interesante që e kanë për kryefjalë inatin thotë: inatin kija, por jepi hakun! Urtësia në thotë të mos mbajmë inate fare, e megjithatë, haku gjithsesi duhet paguar. Haku duhet t’i paguhet vendit, qytetarëve.