Dy organizata të njohura izraelite për të drejtat e njeriut, B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut – Izrael, kanë publikuar një raport të ri ku e akuzojnë shtetin izraelit për kryerjen e gjenocidit në Rripin e Gazës, duke u bërë kështu organizatat e para të mëdha izraelite që përdorin këtë term ndaj veprimeve të qeverisë së tyre.
“Në analizë të politikave të Izraelit në Rripin e Gazës dhe pasojave të tyre të tmerrshme, së bashku me deklaratat e politikanëve dhe komandantëve të lartë izraelitë mbi objektivat e sulmit, arrihet në përfundimin e qartë dhe të padiskutueshëm se Izraeli po ndërmerr një veprim të koordinuar dhe të qëllimshëm për të shkatërruar shoqërinë palestineze në Gaza”, thuhet në deklaratën që shoqëron raportin. “Me fjalë të tjera: Izraeli po kryen gjenocid ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës,” thuhet në deklaratë, raporton The Times of Israel.
Në një konferencë për shtyp në Jeruzalemin Lindor, Orly Noy, kryetare e bordit ekzekutiv të B’Tselem, ka thënë se:
“Ky krim duhet të ndalet menjëherë. Përgjegjësia bie para së gjithash mbi Izraelin, por edhe mbi bashkësinë ndërkombëtare, e cila duhet të përdorë çdo mjet për të ndaluar krimet që po ndodhin vetëm 70 kilometra larg prej këtu.”
Izraeli nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj raportit, por ka mohuar akuzat për gjenocid, duke thënë se merr masa për të shmangur dëmet ndaj civilëve dhe duke akuzuar Hamasin se fshihet në infrastrukturën civile, përfshirë shkolla dhe spitale.
Kujtojmë se kryeministri Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë akuzat se Izraeli po ndjek një politikë të qëllimshme për të përdorur urinë si armë në Gaza.