Për çka erdhi Lajçaku në Kosovë dhe çka diskutoi me krerët e shtetit? - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

26/11/2021 7:23

Për çka erdhi Lajçaku në Kosovë dhe çka diskutoi me krerët e shtetit?

Lajme

Gazeta Express

26/11/2021 7:23

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak tha më 25 nëntor se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, derisa theksoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë Bashkimin Evropian.

Ai tha se gjatë vizitës në Kosovë ka diskutuar për një takim të mundshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që BE-ja shpreson se do të mbahet para fundit të vitit.

Lexo Edhe:

Pas takimit me kryeministrin Kurti, Lajçak tha se nuk është i rëndësishëm vetëm caktimi i takimit, por edhe rezultati mund të ketë ai.

“Nuk është në pyetje takimi, sepse liderët janë takuar dy herë, por siç e dini nuk ka pasur rezultate pozitive. Kësaj here, ambiciet tona janë ndryshe dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe për t’u pajtuar se cili do të jetë rezultati”, tha Lajçak.

Ai shtoi se palët kanë shprehur vullnet të mirë për procesin e dialogut dhe “ne vetëm duhet të sigurohemi që takimi do të prodhojë rezultate”.

Lajçak ka qëndruar për vizitë njëditëshe në Prishtinë me ç’rast u takua edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjatë takimit me Osmanin, Lajçak tha se ka nevojë për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Në anën tjetër, presidentja Osmani deklaroi që Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialogun me Serbinë. Sipas saj, suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Kosovën, por edhe rajonin.

Megjithatë sipas Osmanit epilogu i dialogut do të duhej të ishte njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, thuhet në njoftimin e presidencës kosovare.

Lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është e pritshme që marrëveshja finale të arrihet gjatë mandatit të tij.

Bisedimet për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë filluar qysh në vitin 2011. Që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, porse shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë.

Dialogu u ndërpre disa herë për arsye të ndryshme. Por, së fundmi pengesë në dialog u bë, marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës.

Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja palët.