Për çfarë krime lufte dyshohet nënkryetari i Kuvendit të Serbisë - Gazeta Express
string(64) "per-cfare-krime-lufte-dyshohet-nenkryetari-i-kuvendit-te-serbise"

Lajme

Gazeta Express

05/08/2022 20:21

Për çfarë krime lufte dyshohet nënkryetari i Kuvendit të Serbisë

Lajme

Gazeta Express

05/08/2022 20:21

Gazetar: Genc Godanci

Ushtarët nën komandën e Bozhidar Deliqit dyshohet të kenë vrarë më shumë se 2100 civilë, ndërkaq rreth 450 të tjerë ende janë të zhdukur, sipas një dosje të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në vitin 2013

Lexo Edhe:

Të gjithë ngrihen në këmbë për kryesinë e re të Kuvendit.

Në mesin e tyre, që merr duartrokitje të tilla, është edhe Bozhidar Deliq, i zgjedhur si nënkryetar i Parlamentit të Serbisë.

Sot i përfshirë në jetën politike në Beograd, por 23 vjet më parë ky komandonte Brigadën 549 të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave.

Zona e tij e përgjegjësisë gjatë luftës në Kosovë përfshinte Prizrenin, Dragashin, Suharekën, Rahovecin dhe Gjakovën.

Në këto zona ushtarët nën komandën e Bozhidar Deliqit dyshohet të kenë vrarë më shumë se 2100 civilë, ndërkaq rreth 450 të tjerë ende janë të zhdukur, sipas një dosje të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në vitin 2013.

I lindur në fshatin Lugbunar të komunës së Gjakovës, Deliq ka treguar se si kishte luftuar kundër UÇK-së në Rrafshin e Dukagjinit.  

6 vjet pas luftës, ky kishte shkuar në Hagë për të dëshmuar pro Sllobodan Millosheviqit.

Aty kishte deklaruar se për herë të parë ushtria jugosllave kishte kryer operacion në Kosovë në korrik të vitit 1998, në zonën e Rahovecit, ku sipas tij, mbi qytet ishin hedhur vetëm 12 projektile.

Ndërkaq në gjykimin e mbajtur në Serbi për masakrën e Tërnjes së Suharekës, Deliq ishte i ftuar vetëm si dëshmitar.

Dëshmitarët e tjerë pretendojnë se ai ka qenë edhe në fshatrat Krushë e Celinë të Rahovecit, në kohën kur aty janë kryer masakrat.   

Ani pse nga Prokuroria e Serbisë kishin deklaruar se Deliq po hetohej për krime lufte, ai asnjëherë nuk u padit.

Edhe ky vetë, disa herë ka mohuar akuzat e tilla.

Në intervista nëpër mediat në Serbi, Deliq shqiptarët i quan me termin fyes “shiptari” dhe thotë se ata po duan t’i ndjekin serbët nga Kosova.