Për ambasadorët, Kuvendi i Kosovës është ende i pakonstituuar – kërkojnë të respektohet Kushtetuta - Gazeta Express
string(95) "per-ambasadoret-kuvendi-i-kosoves-eshte-ende-i-pakonstituuar-kerkojne-te-respektohet-kushtetuta"

Lajme

Gazeta Express

04/09/2025 8:06

Për ambasadorët, Kuvendi i Kosovës është ende i pakonstituuar – kërkojnë të respektohet Kushtetuta

Lajme

Gazeta Express

04/09/2025 8:06

Ambasadorët e Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me procesin e papërfunduar të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Edhe pse Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka mbyllur seancën konstituive të mbajtur të shtunën, ambasadorët Jorn Rohde dhe Jonathan Hargreaves nuk e konsiderojnë atë si të përfunduar me sukses.

Në takime të ndara me Presidenten Vjosa Osmani, dy ambasadorët kanë theksuar nevojën për të përmbyllur të gjithë hapat e domosdoshëm të konstituimit në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, në një deklaratë publike pas takimit me Presidenten, theksoi se Kuvendi nuk është konstituuar ende dhe se është urgjente të ndërmerren hapat e duhur në përputhje me kornizën kushtetuese të vendit.

“Ishte kënaqësi të takohesha me Presidenten Osmani. Diskutuam mbi partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve dhe mbi nevojën e menjëhershme për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit, në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, përmes një reagimi të mëhershëm, ka ngritur shqetësime për atë që e cilëson si një “bllokadë të vazhdueshme institucionale e politike”. Ai po ashtu ka tërhequr vëmendjen për retorikën publike që, sipas tij, cënon besimin në pavarësinë e gjyqësorit.

“Gjatë takimit me Presidenten Osmani, shpreha shqetësimin për situatën aktuale politike dhe institucionale, si dhe për retorikën që vë në pikëpyetje vendimet e gjykatave. Kjo rrezikon të dëmtojë besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe integritetin e tij”, ka theksuar Rohde.

Në reagim ndaj këtyre zhvillimeve, Presidenca ka njoftuar se Presidentja Osmani i ka siguruar ambasadorët se do të veprojë në mënyrë tërësisht në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke theksuar rëndësinë e garantimit të stabilitetit institucional dhe respektimit të vullnetit qytetar.

Edhe pse në seancën e fundit nuk u arrit të zgjidhet nënkryetari nga komuniteti serb, Kryeparlamentari Dimal Basha e ka konsideruar të përfunduar konstituimin e Kuvendit. Presidentja Osmani ka pritur në takim Bashën të hënën, ku është diskutuar ky proces. Ajo e ka informuar atë se ekipi ligjor i Presidencës është duke shqyrtuar në detaje ligjshmërinë dhe përputhshmërinë e procedurave të ndjekura gjatë konstituimit.