Pep Guardiola i ka kërkuar falje Jack Grealish për minutat e pakta të lojës këtë sezon, duke insistuar se vendimi nuk ka të bëjë me ndonjë inat personal ndaj mesfushorit.
Grealish, i cili nuk ka qenë titullar për Manchester City që nga fitorja 5-0 kundër Salford City në raundin e tretë të FA Cup më 11 janar, luajti vetëm gjashtë minuta në fitoren 4-1 kundër West Ham të dielën.
Në fakt, mesfushori i Anglisë ka nisur vetëm gjashtë ndeshje në Premier League këtë sezon, me Jeremy Doku dhe Savinho që janë preferuar më shumë në krahët e sulmit.
Pas një sezoni të parë të shkëlqyer te City, ku ai luajti 41 herë si titullar nga 50 ndeshje të mundshme, Grealish ka pësuar një rënie të ndjeshme nën drejtimin e Guardiolës.
Më herët gjatë kësaj jave, Guardiola e sfidoi Grealish që të rikthejë formën që ndihmoi City të fitonte tripletën historike në vitin 2023.
“Savinho është në formë më të mirë se Jack, dhe kjo është arsyeja pse e aktivizova atë kundër West Ham,” tha Guardiola. “A dua unë atë Jack që fitoi tripletën? Po, padyshim, por unë përpiqem të jem i sinqertë me veten për këtë.”
“Lojtarët duhet të luftojnë për vendin e tyre. Nëse dikush mendon se kjo është e padrejtë, është në rregull, por ai duhet të më tregojë me punë dhe përkushtim që e meriton të luajë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj”, shtoi ai.
Guardiola i kërkon falje Grealish
Para përballjes së Cityt me Leyton Orient në raundin e katërt të FA Cup të shtunën, Guardiola u pyet sërish për situatën e Grealish.

“Më vjen shumë keq që Jack nuk ka pasur minutat që ndoshta i meriton,” tha Guardiola. “Por kontributi i Jeremy Doku dhe Savinho ka qenë i jashtëzakonshëm, dhe ky është i vetmi motiv.”
“Nuk është se nuk më pëlqen Jack apo se nuk kam besim tek ai. Kur luan më shumë minuta, fiton besim, por unë i njoh shumë mirë aftësitë e tij”.
“Në ndeshjen e fundit, Savinho bëri një hap të madh përpara edhe në fazën mbrojtëse. Dhe kjo është arsyeja pse vendosa ta aktivizoj atë. Ndonjëherë duhet të zgjedhësh mes lojtarëve. Nuk është se nuk më pëlqejnë të tjerët, por ky është realiteti i punës sime”.
“E kuptoj që tifozët dhe media mund të preferojnë një lojtar mbi tjetrin, dhe kjo është bukuria e futbollit. Por puna ime është të marr vendime sipas asaj që besoj se është më e mira për ekipin”, përfundoi Guardiola. /GazetaExpress/