Të moshuarit në vendin tonë po tërheqin këto ditë edhe shpërblimin e fundvitit bashkë me pensionin e këtij muaji.
Për të mos pasur radhë dhe probleme në sportele, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka hartuar një grafikë, ku pensionistët dhe familjet me ndihmë ekonomike duhet të shkojnë ta tërheqin bonusin 5000 lekë, ditën që u është caktuar për të marrë pensionin.
Gjithashtu është bërë e ditur se për ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë gjatë këtij muaji, kryesisht të moshuarit që jetojnë jashtë vendit, do të kenë afat të tërheqin bonusin e tyre brenda 36 muajsh.
Ndërkohë edhe ata që dalin në pension deri me datë 31 dhjetor do ta marrin shpërblimin e fundvitit, thotë ISSH.
Shteti ka vëne në dispozicion 35 milionë dollarë për 583, 400 individë. Ndryshe nga vitet e tjera bonusi për invalidët këtë vit do të jetë 6000 lekë./Gazeta Express