Policia ka bërë të ditur se ka vënë në pranga një nga autorët e dyshuar të ngjarjes së 9 janarit në zonën e Astirit në Tiranë, ku 21-vjeçarja pretendoi se u mbajt peng, duke çuar në një operacion të Forcave RENEA për shpëtimin e saj.
Sipas policisë, në pranga është vënë shtetasi me iniciale E. B., 36 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal.
“Si rezultat i hetimeve intensive, bazuar dhe në informacionet e marra falë inteligjencës policore, nga Strukturat e DVP Tiranë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. B., 36 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi në bashkëpunim me shtetas të tjerë të shpallur në kërkim, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në një apartament në Astir.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.
Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë”, njofton policia.
Sakaq, sipas dëshmisë së vajzës para hetuesve, rezulton se e reja nuk është dhunuar dhe ka shkuar vetë me dëshirë në banesën me qira ditore, ndryshe nga versioni i parë që dha kur telefonoi sallën operative.
21-vjeçarja është shprehur se është ndjerë e frikësuar në momentin që ka parë se një prej djemve kishte armë me vete.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...