Sllovakia konfirmoi të mërkurën se do të vazhdojë ta mbajë në fuqi veton ndaj paketës së re të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
Vetoja u riafirmua gjatë një takimi të ambasadorëve të vendeve anëtare në Bruksel, ku çështja e sanksioneve u parashtrua për aprovim por u bllokua sërish.
Paketa, që është gati t’u aplikuar pas javësh të tëra negociata, vë në shënjestër sektorin financiar dhe atë energjetik të Rusisë, përfshirë gazsjellësin “Rrjedha e Veriut”.
Ndërkohë, lëvizja për të ulur çmimin kufi të naftës së papërpunuar ruse nuk e ka suksesin e sigurt për shkak të ngurrimit të administratës aktuale amerikane.
Ngërçi diplomatik vjen teksa Moska ka kryer një seri sulmesh rekord me dronë dhe raketa ndaj qyteteve ukrainase, duke e bërë më urgjente ndjesinë e Unionit për t’ia shtrënguar pozitat Kremlinit dhe makinerisë së tij ushtarake.
Në thelb, Sllovakia nuk kundërshton kufizimet ekonomike. Qëndrimi i saj lidhet me një çështje tjetër: propozimin për nxjerrjen nga përdorimi të karburanteve tradicionale ruse brenda vitit 2027.
Komisioni Evropian e publikoi projektin në maj dhe e paraqiti në Parlamentin Evropian në qershor, duke u bazuar tek ndalimi gradual i kontratave afatshkurtra dhe afatgjata të gazit.
Por Sllovakia e kundërshtoi atë me argumentin se do të rrisë çmimet për konsumatorët, do të dobësojë konkurrencën dhe do të vërë në rrezik sigurinë energjetike.