Pendarovski: Brenda tremujorit të parë të vitit 2020 do të jemi anëtar të NATO-s - Gazeta Express

Pendarovski: Brenda tremujorit të parë të vitit 2020 do të jemi anëtar të NATO-s

Ballina

Gazeta Express

12/12/2019 10:22

Spanja ka gjasa të formojë Qeverinë e saj diku nga mesi i janarit, ndërsa jo më larg se 3 muajt e parë të vitit 2020, Maqedonia e Veriut do të mund të bëhet anëtare e plotfuqishme e Aleancës veri atlantike, tha presidenti Stevo Pendarovski në karvanin e organizuar me studentë. Pendarovski duke folur për Samitin e Londrës që u mbajt për nder të 70 vjetorit të themelimit të Aleancës, pohoi se për herë të parë në historinë e Aleancës veri atlantike, ndodhë që një shtet i cili formalisht nuk është anëtare e plotfuqishme e NATO-s, të ftohet dhe të ulet në të njëjtën tavolinë me vendet anëtare të NATO-s.

“Informacionet fundit edhe pse jo të vërtetuara flasin se Spanja mund të krijojë Qeveri diku nga mesi i janarit i vitit të ardhshëm. Vetëm nga vonesa teknike e një vendi anëtare i NATO-s varet ajo se kur saktë do të bëhemi anëtare e plotfuqishme e NATO-s. Parashikimet tona duke u bazuar në informacionet që kryeministri Sançez ia ka përcjellë kryeministrit Zaev është që kjo mund të ndodhë në janar dhe askush nuk parasheh se kjo mund të vonohet më shumë se tremujori i parë i vitit 2020”, deklaroi Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Ndërsa ambasadorja e Britanisë së Madhe, Rejçel Galovej tha se Samiti i Londrës nuk ishte vetëm një ngjarje e thjeshtë, por shumë domethënëse për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Aleancën.

“Samiti ishte i veçantë për Maqedoninë e Veriut sepse së shpejti do të jetë anëtare e 30 e NATO-s. Shpresoj që të gjithë t’i keni parë imazhet nga Londra, ku flamur i Maqedonisë së Veriut valëvitej së bashku me flamujt e tjerë të vendeve anëtare. Ishte e qartë në mbledhje se të gjitha vendet janë të përgatitura t’i urojmë mirëseardhje Maqedonisë së Veriut, sepse kjo gjë është mirë për NATO-n, për Maqedoninë e Veriut dhe për rajonin”, tha Rachel Galloway, ambasadore e Britanisë së Madhe. Kur Protokollin për aderim në NATO do ta ratifikojnë të gjitha vendet anëtare të Aleancës, mbetet që dokumenti për aderim të ratifikohet edhe në Kuvendin tonë me të cilin do të zyrtarizohet anëtarësimi i Maqedonisë se veriut në NATO.