FC Prishtina e Re ka reaguar për herë të parë zyrtarisht ndaj arbitrimit në këtë edicion, duke akuzuar për vendime të padrejta që, sipas klubit, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e ndeshjeve.
Në një komunikatë publike, klubi thekson se loja e bukur dhe futbolli i luftuar nuk duhet të dëmtohen nga vendime që ndryshojnë fatin e ndeshjes. Sipas tyre, deri më tani janë tri ndeshje në këtë kampionat ku janë dëmtuar qartë, ndonëse më herët kanë zgjedhur të mos reagojnë me arsyetimin se gabimet janë pjesë e lojës.
Klubi rendit konkretisht rastet që i konsideron të padrejta: në përballjen ndaj KF Drenica në xhiron e tretë, ku u anulua një gol i rregullt për një faull të paqenë; në ndeshjen kundër KF Ferizaj në xhiron e 20-të, ku u anulua një tjetër gol për një pozitë jashtë loje të diskutueshme; si dhe në duelin e fundit ndaj FC Ballkani, ku nuk u akordua penallti pas ndërhyrjes ndaj lojtarit Rudaj në minutën e 70-të.
Sipas Prishtinës së Re, rasti i fundit është i qartë edhe nga pamjet televizive, duke e cilësuar ndërhyrjen si “penallti klasike”, ndërsa vendimi i gjyqtarit për të vazhduar lojën është konsideruar i pakuptimtë.
“Është e vërtetë se jemi në pozitë të vështirë, por gara për mbijetesë mbetet e hapur. Nuk kërkojmë favore, por kur kemi të drejtë, mos na dëmtoni. Nuk ua kemi borxh,” thuhet në reagimin e klubit.
Më tej, Prishtina e Re kërkon më shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm nga gjyqtarët, duke theksuar se vendimet duhet të jenë të drejta pavarësisht pozicionit të ekipeve në tabelë.
Në fund, klubi nënvizon se ky është reagimi i parë publik dhe se nuk duhet të kalojë në heshtje. Ata kërkojnë që referimi të jetë i drejtë dhe i barabartë për të gjithë, në mënyrë që rezultati të vendoset vetëm në fushë dhe mbi bazën e meritës.