«Pellazgët» si prefiguratë teodik - Gazeta Express
string(31) "pellazget-si-prefigurate-teodik"

Gazeta Express

16/02/2020 12:46

«Pellazgët» si prefiguratë teodik

Gazeta Express

16/02/2020 12:46

Albin Kurti erdhi. Ende pa hyrë në zyrë, thonë le të shkojë. Ka ndryshuar shumë, thonë. Kush ka ndryshuar? U transformua ai kaq shpejtë apo masat zhgënjehen me veprën e tyre: mitin që e konstruktuan sipas imagjinatës gati faustike dhe tash u doli mashkull e jo femër apo ë dyja bashkë?  

Xhemal AHMETI                                   

Lexo Edhe:

Po të mos profetizonte Jezaja a do të ndodhte Jezusi? Po të mos parashikonte Huntington (The Clash of Civilizations, 1996), luftën ndërmjet Oksidentit dhe Orientit a do të kriste ajo më 9/11 të 2001-ës?

Zinxhirimi kausal i këtyre dy kapitujve transkohorë provokon logjikën me dyluftim. Teodikët parashikojnë dhe dëshirojnë që gjatë duelit ta pësojë përvdekshëm logjika. Ajo është per se «edepsuze». Nuk beson pa verifikuar. Është blasfemike.

Nuk beson në çka?

Polemikat nuk kanë të ndalur. Ato udhëhiqen kryesisht nga dy konstituentë: Njërin përbën teza e «idesë si prefiguruese e miteve, realiteteve dhe kulturave» e tjetrën e performon besimi që mbështetet në «profecinë vetëpërmbushëse». Debatuesit pro profecisë besojnë se sub-jekti është si një karikator që mbushet nga dora e padukshme e akëcilit zot. Prandaj gjithçka është e programuar dhe ndodh ashtu siç e ka paracaktuar shtabi i Panteonit. Prefiguratët janë pasardhës të filozofit gjerman Hans Blumenberg (Päfiguration: Arbeit am politischen Mythos, 2014 ps.). Këta thonë se njerëzit vetë i krijojnë realitetet nga të cilat mëvonë ikin si prej ndonjë hordhie demonësh. Ikin ngase veç pas pygmalizimit dhe tërbimit të statujave ndeshen me botën që kanë krijuar. Jo vajza të bukura si Pafoja e Venusit (Ovidi) u lindin mitet por tiranë apo impotentatë që mund të qeverisin vetëm me çpushtetëzimin radikal të turmave që i sajuan ata.

Prefiguratë janë pra ata që për të përballuar realitetin në të cilin gjenden e rrëmbejnë një imazh nga historia apo aktualiteti dhe e karikojnë me veti, fuqi e magji, nëpërmjet të cilave shpresojnë emigrimin nga «zgafella» e diagnostifikuar bukur prej kollumnistes Flaka Surroi.

Teoria e Blumenberg-ut dhe gjithë konstruktivistëve para dhe pas tij, përkundër refuzimit nga neorealistët në promovim e sipër, nuk demantohet dot. Është edhe në shekullin 21 prakseologjia më faktografike e mundshme: Në shoqëritë halleplotë dhe me sisteme proto-arsimore mitet janë kryesisht individë. Në shoqëritë postindustriale mit është Gaia ose Kombi e operatorët praktik populistët (njëlloj teodikësh me perëndinë në tokë) si bijtë më të devotshëm të shoqërisë. Perëndimi pjell mite në emër të kombit, Lindja pjell mite që shpresojnë se do t’ua bëjnë kombin.

Si është tek shqiptarët dhe cili është motivi bazë i këtij shkrimi. Ardhja e Albin Kurtit në pushtet dhe trajtimi i tij si ajo statuja e Pygmalionit janë muzat e kësaj trajtese.

Njëra nga feministet më aktive në Facebook, gazetarja Arta Avdiu – të cilën këtu do ta keqpërdorim për të vizualizuar spekulimet tona – nëpërmjet një statusi në facebook shprehej e shokuar me deklarimin e një sociologu, i cili paska thënë se «gratë janë për nga natyra të tilla që duhet t’iu nënshtrohen burrave». Tani le të pyesim se ç’habitusi ka prefiguruar zonja Avdiu për sociologun në fjalë para se ai së paku njëherë u bë «burrë» dhe foli ashtu siç është në realitet. U bë transparent. E ka konsideruar atë si intelektual të shekullit 21; profesor universitar me kulturë aq sa për t’ua pranuar grave të drejtën e mosshtypjes? Ta kishte ndërtuar ajo habitusin e tij në mendje ndryshe nuk do të shokohej. Do ta (ç)regjistronte deklaratën e tij me një ataraksi mahnitëse, me një pff gjatë. Por jo. Ajo u shqetësua ngase u zhgënyje. Ajo ka pritur që një besimtar i devotshëm religjionesh ku shkruhet se «gratë mund të hyjnë në tempull me kushtin që ta qepin» (Shën Pali) e të llojit të jetë ai siç e ka ndërtuar ajo e jo siç është ai në realitet.

Tjetri shembull: Autori dhe publicisti që përbën atë grupin aq minor të profesionalëve të fahut Adriatik Kelmendi gjatë dhurimit të librave të tij të sapobotuar shpalli Gllauk Konjufcën Hegel e Albin Kurtin Immanuel Kant. Respektivisht sugjeronte të dytë të jenë si ata; të jenë ekspertë të tyre apo se i lexojnë nateditë vetëm ata? Kjo mbetet e paqartë. Ai që ka doktoruar filozofinë me siguri ka përtypur skenat me plotë antipati. Politiologët me siguri gjetën arsyet se pse këta dy politikanë herë bëhen Çegevara e herë Henry Fordi, ngase siç thonë ata (nuk i njohin fare) me idetë e Kantit dhe Hegelit mund të qeverisësh në La città del Sole të Tommaso Campanella-s, por jo Kosovën totalisht të deleguar nga playboy shkollash evangjeliste apo ish konkurentë të John Cena-s. Apo i kanë treguar ata Adriatikut me poza se lexojnë dy filozofët gjermanë? Vetëm teodikët mund ta dinë me saktësi, për shkak lidhjeve të tyre interstellare. Hegeli dhe Kanti janë SISTEME filozofike, ndërkaq dy protagonistët politikanë të Kosovës, të cilët i kanë përfolur emrat e dy kolosëve lartë në ndeja me «miletin» dhe kaq.

Në veprimet e zonjës Arta Avdiu dhe zotëriut Adriatik Kelemendit mund të shohë secili për vete se ç’i bën gjuha njeriut. Ajo i krijon «realitete». Ajo i krijon efekte në jetë: ky shkrim është produkti praktik që tregon persuasionin konkret të tri statuseve në facebook. Ne krijojmë Tjetrin sipas kërksave tona. Ne refuzojmë ta njohim tjetrin siç mund të ishte vërtetë.

3.

Shembujt lartë janë qëllimisht me protagonistë masmedial. Jo për politikanët, por për mitebërësit e kemi fjalën. E të këtillë jemi sot të gjithë. Secili që e ka një profil në rrjetin social, di të shkruajë dhe ta manaxhojë atë, kontribuon në prefigurimin e realiteteve a la Blumenberg. Të gjithë jemi bashkëprodhues mitesh, që pastaj na bëhen vektorë jete. Teza e këtij teksti është: edhe Albin Kurtin e ndërtuan kështu. Ashtu siç i prefiguruan pararadhësit e tij. Individët, mirëpo prefigurimet nuk mund t’i kenë kurrë të suksesshme nëse ato nuk legalizohen nga instancat në rol kompetente për krijimin e mentaliteteve: masmediat! Për promovimin prozitiv të mitit kujdesej industria mediale e prirë nga Berat Buzhala e për atë negativin kujdeseshin ato të Baton Haxhiut. Të dyja në favor të një miti. Persuasioni sipas teorisë së kompanisë shkencore Hovland, Janis dhe Kelley (1953) doli i suksesshëm: Kurti erdhi në pushtet. Tashti, ditaditës, shtohen zërat që kërkojnë të shkojë ngase miti nuk vepron ashtu siç premtonte gjersa ishte «statujë» (në kuptimin pa pushtet). E kjo paraljmëron fazën e hyrjes në vetë-dekonstruimin e mitit dhe racionalizimin me ekzistencën e qenies së tij reale – atë të politikanit që beson se mundet dhe di të qeverisë më mirë se tjerët. Për vete apo për shoqërinë do ta shohim më vonë.

4.

Albin Kurti në opozitë ishte: konfuz, agregator i masave anti-pushtet (pavarësisht ideologjisë) dhe jo parimor. Vegjëlia nuk të bënë Mit as Mesia me rrëfime që potencojnë suksesin e tjerëve. Albin Kurti me pushtet është: ende konfuz, ngase gjendet në atë fazën e bërjes së habitusit të vetë kompatibël me labirinthet formë lavatriçeje të pushtetit. Asnjë qenie e gjallë deri sot nuk ka hyrë e dalë nga aty i patjetërsuar. Pyetja nuk duhet të jetë se si dukej dje e si duket sot Kurti, porse duhet të përfundoj me lutjen e teodikëve drejtuar perëndive të tyre që ky profet i rradhës t’ua plotësojë dëshirat dhe me shpresën e prefiguratëve që këtë mit ta kenë sajuar së paku si Pygmalioni që e shndrroj statujën në grua nga të cilët lindi Pafoja. Falë Venusit natyrisht. Jo perëndi por e mitologjisë si ashtu.

Një duket e qartë deri në këtë stad: po të mos profetizonte Jezaja nuk e do dihej paraprakisht se vjen Jezusi. E njejta vlen edhe për luftën e Huntingtonit. Tjerat le të mbesin material zbavitës për teodikët.

Siç shohim, për fakteqësinë e teodikëve,  mbijetoi logjika, madje edhe duke shtyrë në ajër. Pa teodikët ajo do mbetej pa punë. E ne pa ide e shkrime, nëpërmjet të cilave mëtojmë të gjejmë receta se si ta sajonim edhe më suksesshëm mitin e radhës.