Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka mbledhur sot në orën 11:00 krerët e grupeve parlamentare në një takim konsultativ me qëllim nisjen e procesit të riorganizimit të strukturave të Kuvendit. Në fokus të takimit është diskutimi për përbërjen e re të delegacioneve parlamentare, ngritjen e Byrosë së Kuvendit dhe Këshillit për Mandatet dhe Rregulloren.
Peleshi pritet t’u paraqesë palëve një draft për ndryshimin e përshpejtuar të Rregullores së Kuvendit, i cili do të hapë rrugën për një rikonceptim të plotë të Komisioneve Parlamentare. Ky propozim është në përputhje me modelin e shpallur nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste më 11 shtator, ku u prezantua edhe kabineti i ri qeveritar.Sipas planit të mazhorancës, ditën e martë Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare që në orët e paradites për ngritjen e Këshillit të Mandateve, ndërsa pasdite pritet të votohet rregullorja e re dhe përbërja e komisioneve të reja parlamentare.Aktualisht, Partia Socialiste mban drejtimin e 7 komisioneve parlamentare, ndërsa opozita ka 4. Megjithatë, një nga pikat më të debatuara është përjashtimi i opozitës nga drejtimi i Komisionit për Integrimin Evropian – një strukturë që demokratët e konsiderojnë me rëndësi strategjike për procesin e anëtarësimit në BE.