KB Peja ka zyrtarizuar basketbollin më të ri të skuadrës, Denys Lukashov.
Reprezantuesi ukrainas është basketbollist i pozitave 1/2 dhe ka ndërtuar karrierë në Francë, Lituani, Rusi, Ukrainë – duke marrë pjesë edhe në kompeticionin prestigjioz Europian, Eurocup – ku ishte pjesë e fazës çerekfinale.
Poashtu, Lukashov ka qenë edhe pjesë e Kombëtares së Ukrainës për mbi një dekadë, duke luajtur në ndeshje të mëdha kundër gjigantëve europianë të basketbollit.
Peja para pak ditësh kishte pasur ndryshime edhe në shtabin teknik, me trajnerin izraelit, Rami Hadar që dha dorëheqje.
Në vend të tij tashmë ka ardhur trajneri irlandez, Daniel Nelson.
Pak minuta më parë, KB Peja po ashtu ka njoftuar se ka mbyllur bashkëpunimin me dy basketbollistë të tjerë.
“KB Peja njofton që Shahada Wells dhe Jawaun Daniels nuk do të jenë më pjesë e skuadrës, pas marrëveshjes së dy anshme me basketbollistët kemi vendosur që të ndërprejmë bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin e klubit pejan.
Peja nuk e ka nisur sezonin e ri në elitën e basketbollit kosovar, duke pësuar pesë humbje nga shtatë ndeshjet e para./GazetaExpress/