Vetëm tre javë ka zgjatur koalicioni i lidhur në mes të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit lokale.
Marrëveshja politike nga e cila LDK kishte marrë Kryesuesin e Kuvendit të Mitrovicës së Jugut dhe dy drejtori është prishur të mekurën e 4 shkurtit.
Kryetari i Degës së LDK-së, Gëzim Plakolli, ka thënë se koalicioni është prishur pa fajin e LDK-së dhe se s’kanë pranuar që të nënshtrohen ndaj vendimeve të njëanshme të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci.
Plakolli ka përmendur emërimin e një drejtori, duke thënë se është bërë pa paralajmërim dhe në kundërshtim me dakordimet paraprake.
“Emërimi i Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, i realizuar në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë paralajmërim nga Kryetari Peci, është në kundërshtim të plotë me dakordimet paraprake si dhe me propozimet e miratuara nga organet e LDK-së në Mitrovicë. Për këtë arsye, sqarojmë se ky emërim nuk e përfaqëson LDK-në dhe as Degën e saj në Mitrovicë”, ka shkruar Plakolli.
Prishjen e marrëveshjes me LDK-në e kishte njoftuar edhe vetë Faton Peci përmes një postimi në profilin e tij në ‘facebook’, duke ironizuar me rezultatin që LDK kishte marrë në zgjedhjet lokale në Mitrovicë.
“Me 3% nuk punon as iPhone -i”, ka shkruar Peci sot.
Ndonëse koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së është prishur, kryesues i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës vazhdon të jetë ende Safet Kamberi i LDK-së.
Në një fjalë rasti, pas zgjedhjes, Kamberi ishte zotuar se si “kryesues do të bëj më të mirën për Komunën e Mitrovicës duke çuar përpara gjithçka që është në interes ë komunës”.
“Një falënderim të veçantë për anëtarët e Kuvendit, për besimin që ma dhanë, që unë të jem kryesues i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës. Dhe pa e zgjatur shume, unë vetëm diçka dua me iu premtua anëtarëve të Kuvendit. Unë si kryesues i Kuvendit, do të jem në nivelin e përgjegjësisë, do të respektojë në mënyrën më të mirë të mundshme Ligjin për vetëqeverisje lokale, po ashtu Rregulloren e Kuvendit dhe ju garantoj se secili anëtar i Kuvendit do ta ketë hapësirën e vet të diskutimeve. Kështu unë zotohem se unë si kryesues do të bëj më të mirën për Komunën e Mitrovicës duke çuar përpara gjithçka që është në interes ë komunës”, kishte deklaruar ai.
Kamberi kishte marrë mbështetjen e 18 asamblistëve, ndërsa 10 kanë votuar kundër dhe dy vota janë shpallur të pavlefshme.