Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka komentuar pezullimin e Kosovës nga dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e quajtur këtë situatë si pasojë të qasjes së gabuar të Qeverisë Kurti.
Gjatë një konference për media, ku foli edhe për rrjedhën e fushatës zgjedhore të PDK-së, Çitaku tha se është e papranueshme që Kosova 26 vite pas luftës të jetë në një pozitë të tillë me aleatët perëndimorë.
“Është e paimagjinueshme që 26 vite pas luftës, pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë, Kosova të jetë e ndëshkuar, e penalizuar nga aleatët e saj. E tërë kjo për shkak të qasjes së papërgjegjshme dhe avantureske të Albin Kurtit”, u shpreh ajo.
Ajo krahasoi rolin e ish-presidentit Hashim Thaçi në ndërtimin e aleancave me Perëndimin, me atë që sipas saj po ndodh tani nën udhëheqjen e Albin Kurtit.
“Hashim Thaçi nga malet e Pashtrikut ka lidhur aleancë me NATO-n, e tani nga burgu i Hagës e solli Amerikën në mbrojtje të luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa Albin Kurti, nga komoditeti i zyrës së kryeministrit, ka arritur të rrënojë aleanca të shumta që janë ndërtuar me shumë mund, gjak dhe sakrificë”, tha Çitaku.
Ajo theksoi se izolimi diplomatik dhe pezullimi nga partneriteti strategjik me SHBA-në janë alarm serioz për të ardhmen e vendit dhe pasojë e drejtpërdrejtë e sjelljes së qeverisë aktuale.