Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur “solidaritetin e plotë me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe me çdo qytetar që është prekur nga vërshimet e shkaktuara si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut”.
PDK-ja tha në një komunikatë se “situata e krijuar në shumë zona të vendit, ku familje të tëra janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre pasi kanë pësuar dëme të konsiderueshme, kërkon reagim të menjëhershëm, të koordinuar dhe të përgjegjshëm institucional”.
“PDK u bën thirrje institucioneve qendrore që të marrin përgjegjësinë e plotë që u takon, duke aktivizuar të gjitha mekanizmat shtetërorë për menaxhimin e situatës emergjente. Ndihma për komunat e prekura, familjet dhe bizneset duhet të jetë e shpejtë, e drejtë dhe pa burokraci të panevojshme. Në këto momente, prioritet absolut duhet të jetë siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe pronës, si dhe rikthimi sa më i shpejtë i normalitetit në zonat e prekura”, thuhet në komunikatë.
PDK-ja tha se i siguron qytetarët se në komunat ku qeveris kjo parti “është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme institucionale për t’u dalë në ndihmë, në mënyrë që askush të mos mbetet i vetëm në përballimin e kësaj situate të vështirë”.