Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur një kundërshtim administrativ ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025.
Në dokumentin e dorëzuar nga avokati Faton Fetahu, PDK kërkon ndërprerjen e menjëhershme të zbatimit të këtij akti, duke argumentuar se ai është nxjerrë në kundërshtim me ligjin, pa konsultime adekuate dhe pa përmbushur kushtet e nevojshme për konkurrencë efektive në treg.
PDK thotë se “vendimi do të ketë pasoja të rënda për mbi 1,300 biznese dhe rreth 140 mijë punëtorë, duke rrezikuar falimentimin e ndërmarrjeve, nxitjen e inflacionit dhe rritjen e çmimeve për konsumatorët.
“PDK i referohet gjithashtu opinionit të Avokatit të Popullit dhe analizave të Odës Ekonomike të Kosovës për të mbështetur kërkesën për pezullim të vendimit”.
Sipas PDK-së, ZRRE ka vepruar pa pasur një vlerësim nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe “ka favorizuar pozitat dominuese në treg, duke mos siguruar kushte reale për zgjedhje të lirë të furnizuesve nga konsumatorët”./Express/