PDK në opozitë e Aleanca refuzon takimin me të, a mund t'i bëjë Kurti me LDK-në votat për Presidentin? - Gazeta Express
string(99) "pdk-ne-opozite-e-aleanca-refuzon-takimin-me-te-a-mund-ti-beje-kurti-me-ldk-ne-votat-per-presidentin"

Lajme

Gazeta Express

04/08/2026 13:31

PDK në opozitë e Aleanca refuzon takimin me të, a mund t’i bëjë Kurti me LDK-në votat për Presidentin?

Lajme

Gazeta Express

04/08/2026 13:31

Me refuzimin e PDK-së, Albin Kurti tani duhet të llogarisë në votat që mund t’i mbërrijë me LDK-në, nëse nuk dëshiron t’i marrë parasysh gjashtë kërkesat e Aleancës. Ai do të takohet sot me Lumir Abdixhikun për të diskutuar për formimin e institucioneve. LVV-ja, me deputetë të minoriteteve, i ka votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë së re, por i duhet së paku LDK-ja për zgjedhjen e Presidentit. Por, deputetë të kësaj partie që janë shumë të zëshëm kundër LVV-së dhe të cilët kanë kërkuar largimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë, mund të bëhen problem në këtë llogaritje. Të enjten mbahet seanca konstituive e Kuvendit, dhe pasi të jenë zgjedhur kryeparlamentari dhe nënkryetarët, atë ditë nis zyrtarisht procedura për zgjedhjen e shefit të shtetit, e cila duhet të përfundojë maksimumi brenda 60 ditësh. A mund të bëhen votat?

Gazeta Express

Mozgjedhja e Presidentit, e cila i detyroi kosovarët të kthehen te kutitë e votimit për herë të tretë brenda rreth një viti e gjysmë, nuk është ende çështje që mund të zgjidhet lehtë.

Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takohet sot në orën 18:00 në Kuvend me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku, i cili para pak ditësh i mbijetoi një votëbesimi për të mbetur në krye të LDK-së, kthehet sot në tavolinën e bisedimeve me Kurtin, të cilat i kishte pezulluar në mes të korrikut, kur rreth 150 delegatë të partisë dorëzuan nënshkrimet për të kërkuar shkarkimin e tij nga drejtimi i partisë.

Nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu tha “duhen diskutime shumë intensive” dhe se janë të preokupuar për formimin e institucioneve.

“LDK-ja, në vazhdën e preokupimit që ka për institucionet e Kosovës dhe për krejt krizën politike që e ka përcjellur vendin gjatë këtyre dy vitesh, ne kemi qëndrim të qartë për të kontribuar në formimin e institucioneve, për aq kohë sa mundemi dhe për aq fuqi sa kemi”, tha ajo dje në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.

Ajo beson se “gjithçka mund të dalë nga tavolina e diskutimeve” dhe se takimi i sotëm do të japë më shumë “qartësi”.

Lushaku Sadriu tha se LDK-ja i ka idetë dhe kërkesat e saj, “edhe programore, edhe në kuptimin e kuadrove”.

“Kërkesa jonë tani ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit, meqë aty jemi si parti politike që kemi peshën e votës dhe kërkohen edhe votat tona. Nëse kjo na çon te diskutimi edhe për qeverinë, pastaj do të diskutojmë”, tha ajo.

PDK-ja zgjedh të mbetet në opozitë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza e refuzoi ftesën e Kurtit për takim, duke shkruar në një përgjigjje se PDK-ja do të qëndrojë në opozitë.

“I nderuar Kryeministër në detyrë, z. Albin Kurti, Ju falënderoj për ftesën për takim. Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, i shkroi ai kryetarit të LVV-së në një përgjigje me shkrim të hënën.

Hamza tha se presin që LVV-ja dhe partitë e tjera të arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve.

“Presim që ju, në përputhje me përgjegjësitë që ju burojnë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, të arrini marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit”, shkroi ai në letrën dërguar Kurtit.

Aleanca s’sheh “fare arsye” për takim

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini i tha kryeministrit në detyrë të hënën se nuk sheh “fare arsye” për takim me të.

Ftesës së Kurtit për takim, ku ofroheshin si opsione disa orare për sot dhe nesër, Gjini iu përgjigj duke i thënë se Aleanca nuk ka “kurrfarë interesi” për t’u bërë pjesë e qeverisë së re, ndërkaq shtoi se për formimin e institucioneve mund të ndihmojnë, në rast se LVV-ja pranon gjashtë kërkesat e tyre, duke i kujtuar se për to nuk kanë marrë “asnjë përgjigje direkte ose indirekte”.

“I nderuar z. Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Në letrën kthyese të datës 9 korrik 2026, Aleanca e ka qartësuar pozicionin e vet sa i përket themelimit të institucioneve. Aty ju kemi bërë të ditur se nuk kemi kurrfarë interesi që të jemi pjesë e Qeverisë së Kosovës, në asnjë format. Po ashtu, e kemi ofruar mundësinë e ndihmesës për themelimin e institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh pikërisht zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Ne kemi vendosur gjashtë pika që besojmë se janë interes jetik për Kosovën dhe qytetarët e saj, ndërkohë nuk e kemi marrë asnjë përgjigje direkte ose indirekte për to”, shkroi Gjini në letrën që ia dërgoi Kurtit.

Kur Kurti e kishte ftuar që të takoheshin në korrik, Gjini kishte refuzuar, duke paraqitur gjashtë kërkesa që do të duhej t’i plotësonte kryetari i LVV-së në këmbim të mbështetjes të krijimit të institucioneve, pa pjesëmarrjen e kësaj partie në qeverisje.

Ato kërkesa, Gjini ia rikujtoi edhe dje në përgjigjen dërguar Kurtit.

“Gjashtë pikat tona janë: Orientimi Strategjik dhe Gazi Amerikan – Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si prioritet strategjik dhe jetik shtetëror. Pavarësia Energjetike – Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill, për të garantuar sigurinë energjetike të vendit. Lehtësimi për Bizneset e Vogla – Ngritja e pragut të TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro. Mbështetja për Bujqësinë – Lirimi i tokës së punuar nga tatimi në pronë për nxitjen e prodhimit vendor. Buxhetimi i Infrastrukturës – Financimi i plotë i projekteve rrugore dhe kapitale të mbetura pezull. Fondi Emergjent për Kryeqytetin – Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro investime kapitale për Prishtinën”, shkroi Gjini.

“Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, shkroi ai në fund të letrës.

A mund të zgjidhet Presidenti në bashkëpunim LVV – LDK?

Me refuzimin e PDK-së, Albin Kurti tani duhet të llogarisë në votat që mund t’i mbërrijë me LDK-në, nëse nuk dëshiron t’i marrë parasysh gjashtë kërkesat e Aleancës.

Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk e merr shumicën prej 80 votash në dy votimet e para, Kushtetuta parasheh organizimin e një votimi të tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr 61 vota zgjidhet President.

LVV-ja i ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18. Me 11 deputetët e minoriteteve, pa përfshirë ata të Listës Serbe, bëhen 82 deputetë, mjaftueshëm për zgjedhjen e Presidentit.

Por, në LDK ka disa deputetë që janë shumë të zëshëm kundër LVV-së dhe të cilët kanë kërkuar largimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë. Ata mund të mos binden të marrin pjesë në votimin për President, në një marrëveshje me Kurtin.

Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ashtu si deputeti goran, Adem Hoxha, siç është dëshmuar më herët, mund të bëhen gjithashtu problem jo lehtë i zgjidhshëm në kalkulimet e Kurtit.

Pas takimeve të para me Hamzën e Abdixhikun në korrik, Kurti kishte parë “vullen” dhe “atmosferë kontruktive”.

Për President, thoshte se pikënisje do të ishte “një figurë konsensuale, dikush i asnjë partie, përtej polemikave të skenës aktuale, që i ka vlerat e dëshmuara kombëtare e profesionale dhe të jetë shprehje e unitetit”.

Kurti kishte folur për “ndërmarrje të madhe e të gjerë” me LDK-në dhe takime të tjera në vazhdim, pas takimit me Abdixhikun.

Me kryetarin e LDK-së, ai thoshte se kishin folur edhe për “orarin që na pret përpara konstituimit të institucioneve”.

Kurti tha se në atë takim ishin trajtuar të gjitha temat, dhe se ishte optimist “për rrugën përpara”.

“Diskutojmë koncepte, parime, gjithashtu orare e funksione. Është një ndërmarrje e madhe e gjerë që kërkon besim e mirëbesim, e cila kërkon kohë për realizim. Do të jemi transparentë karshi jush sa i përket procesit në të cilin ndodhemi, e kemi edhe konfidencialitetin e këtyre bisedave, të cilat duhet të rezultojnë me të arritura konkrete që të kemi çka të bëjmë publike”, kishte deklaruar ai.

Në atë takim, Kurti tha se kishin folur më shumë se “çka të bëjmë strategjikisht që ta arrijmë numrin maksimal të deputetëve kur të vijë çështja e zgjedhjes së Presidentit”.

Shmangia e zgjedhjeve të reja është e domosdoshme, kishte deklaruar kryetari i LDK-së pas takimit me Kurtin në korrik, të cilin e vlerësonte si “hap i mirë, i mbarë për të hapur kapitujt tjerë takues e diskutues”.

“Për marrëveshje të mirë jemi të unifikuar”, thoshte ai, duke shtuar se po fliste në emër të të gjithë 18 deputetëve të zgjedhur të LDK-së.

Konjufca “shumë optimist”

Pak para se Kurti t’u dërgonte ftesa për takime partive të tjera parlamentare, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca paralajmëroi dje negociata “më të thelluara” me LDK-në këtë javë.

Konjufca tha të hënën për T7 se është “shumë optimist” që me LDK-në do ta arrijnë një marrëveshje “për të gjitha pozitat e larta”.

“Po, edhe për Presidentin ka shpresa. Ne do të hyjmë në negociata më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës, qysh e ka shpjegu edhe vetë kryeministri, edhe pastaj të shohim se çfarë epilogu po sjell ky proces”, tha ai.

“Qëllimi ka qenë, edhe prej anës së LDK-së, është shpjeguar prej Kryesisë së kësaj partie që do të jenë të gatshëm të bisedojnë me Lëvizjen Vetëvendosje. Pas kësaj, atëherë, jam shumë optimist që do të kemi një marrëveshje për të gjitha pozitat e larta në Republikën e Kosovës. Do të kemi një zgjidhje besoj”, shtoi Konjufca.

Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet të enjten në orën 10:00.

Në aktgjykimin e fundit kur Gjykata Kushtetuese vendosi një afat për zgjedhjen e Presidentit, përmendi edhe afatin në kontekst të zgjedhjes së shefit të shtetit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional.

Me t’u konstituuar Kuvendi, duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit, sipas aragrafit 162 të atij aktgjykimi. Procedura, sipas Kushtetueses, duhet të kryhet më së largu 60 ditë pasi të fillojë.

“Në kontekstin specifik të rrethanave të një Kuvendi të shpërndarë dhe ende të pakonstituuar, Gjykata bazuar në interpretimin si më lart dhe qëllimin e normave kushtetuese, të përcaktuara përmes nënpikës 3 të paragrafit 1 të nenit 82 ndërlidhur me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.

Advertisement
Advertisement
Advertisement