Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se caktimi i datës së zgjedhjeve duhet të bëhet duke garantuar integritetin, transparencën dhe besueshmërinë e plotë të procesit zgjedhor.
Nga kjo parti është thënë se propozimi që zgjedhjet të mbahen në të dielën e fundit të vitit. paraqet sfida serioze që rrezikojnë organizimin efikas të zgjedhjeve.
Komunikata:
PDK: Data e zgjedhjeve duhet të garantojë transparencë, jo vështirësi dhe dyshime në proces
Prishtinë, 20 nëntor – Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se caktimi i datës së zgjedhjeve duhet të bëhet duke garantuar integritetin, transparencën dhe besueshmërinë e plotë të procesit zgjedhor.
PDK konsideron se propozimi që zgjedhjet të mbahen në të dielën e fundit të vitit, siç u kërkua në takimin me presidenten e vendit nga partitë që nuk arritën t’i krijojnë institucionet e reja, paraqet sfida serioze që rrezikojnë organizimin efikas të zgjedhjeve dhe pjesëmarrjen e qytetarëve.
Së pari, mbajtja e zgjedhjeve vetëm pak ditë para ndërrimit të motmoteve krijon vështirësi të mëdha për organizimin e tyre nga KQZ-ja, veçanërisht në fazën e numërimit dhe verifikimit të rezultateve. Këto procese i bie të zhvillohen në ditë festive e zyrtarisht ditë pushimi, duke rrezikuar kështu efikasitetin e punës dhe cenuar besimin e qytetarëve.
Së dyti, fundviti karakterizohet nga angazhimi i reduktuar i misioneve ndërkombëtare dhe mungesa e vëzhguesve që tradicionalisht garantojnë transparencë dhe legjitimitet në procesin zgjedhor. Kjo krijon një hendek serioz në monitorimin e zgjedhjeve.
Së treti, zgjedhjet në fundvit rrezikojnë të rezultojnë me pjesëmarrje të ulët, pasi që shumë qytetarë janë të angazhuar me udhëtime dhe aktivitete familjare në prag të festave.
PDK kërkon që vendosja e datës së zgjedhjeve të udhëhiqet nga parimet e neutralitetit institucional, transparencës dhe garantimit të një procesi të drejtë e gjithëpërfshirës. Vetëm përmes një qasjeje të tillë sigurohet mbajtja e zgjedhjeve pa pengesa dhe me besim të plotë nga qytetarët dhe të gjitha subjektet politike.