Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur përurimin e nënkalimit më të madh në historinë e vendit, duke e cilësuar Ferizajn si një model të zhvillimit urban dhe modernizimit të qyteteve në Kosovë.
Në një shkrim në Facebook, PDK ka shprehur krenarinë për punën e kryetarit Agim Aliu, duke vlerësuar se projektet e realizuara në Ferizaj nuk janë thjesht ndërtime, por vepra që forcojnë identitetin e qytetit dhe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.
“Përurimi i nënkalimit më të madh në historinë e Kosovës, i mbushur me energji qytetare, fishekzjarre, flamuj e gëzim – është dëshmi se kur qeverisja ka vizion, qytetarët fitojnë” thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas partisë, ky është shembulli konkret i qeverisjes efikase në nivel lokal, një histori suksesi që po ndërtohet përmes lidershipit të Agim Aliut dhe mbështetjes së vazhdueshme nga PDK.
“Ta gëzojë Ferizaj! Ta gëzojnë ferizajasit – sot dhe për brezat që vijnë!” përfundon deklarata.