Partia Demokratike e Kosovës i konsideron të pasinqerta dhe politikisht të kalkuluara veprimet e kryeministrit Albin Kurti në raport me çështjen e Presidentit. Sipas kësaj partie, dështimi për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit do të mund të evitohej sikur nga kreu i ekzekutivit të kishte ekzistuar vullnet real për marrëvshje.
Sipas deputetit Përparim Gruda, mënyra se si është zhvilluar i tërë ky proces dëshmon se pushteti nuk ka synuar asnjëherë zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.
Madje, sipas tij, ideja e një figure konsensuale nuk ka qenë asnjherë synim i Kurtit, ndërsa dialogu i promovuar në publik ka qenë më shumë paraqitje formale sesa përpjekje e mirëfilltë për marrëveshje.
“Procesi si i tillë ka qenë i dizajnuar për të dështuar. Me një arsye; sepse kur e ke përnjëmend, do të mund të bënte plot alternativa plot. LDK ka thënë e votojmë Vjosa Osmanin, AAK-në s’e ka thirrë, ne i kemi thënë na lë ne ta propozojmë një emër – ka mund ta zgjedhë”, tha Gruda në “Debat Plus.
Gruda ritheksoi se PDK nuk ka qenë e gatshme të bëhet pjesë e një skeme që, sipas tij, do ta shndërronte opozitën në një mjet për legjitimimin e vullnetit të pushtetit.
“Ne nuk mund ta luajmë rolin e patericës së pushtetit që pushteti po dëshiron me votu ne e votojmë. Opozita qëndron aty për të qenë kundër pushtetit. Mirë që Kurti e ka konsumu një proces të dialogut, por unë mendoj se e ka konsumuar vetëm formalisht, sepse ashtu ka qenë pritjet e publikut, por s’e ka pasë qëllimin që të zgjedhë President konsensual. Ky do President për vete”, tha ai.
Në të njëjtën vijë kritike u shpreh edhe deputeti Arben Mustafa, i cili tha se pozicioni i PDK-së ka qenë i qartë që nga fillimi, se pjesëmarrja e tyre në një marrëveshje do të kishte kuptim vetëm nëse kandidatura për President do të dilte nga propozimet e kësaj partie.
“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë; hyjmë në një marrëveshje ku Presidenti zgjedhet nga propozimet që vijnë nga PDK. Dhe çka bën Albin Kurti – vjen një moment i teket, thotë, meqë s’kemi President, a ma votoni një ministër”, tha ai.
Mustafa shtoi më tej se kundërshtimi i PDK-së nuk lidhet vetëm me emra konkretë, por me parimin e ndarjes së pushteteve dhe nevojën për të ruajtur balancat demokratike në vend. Sipas tij, përqendrimi i qeverisë, shumicës parlamentare dhe institucionit të Presidentit në të njëjtën dorë do të ishte i dëmshëm për rendin demokratik.
“Qëndrimi ynë është që ky pushtet që i ka marrë 51 për qind, nuk duhet ta ketë edhe Presidentin, se maspari nuk i ka votat për ta zgjedhur Presidentin dhe tjetra është që kjo do të ishte e dëmshme për demokracinë me pasë edhe qeverinë, shumicën në Kuvend dhe Presidentin dhe po i prishim të gjithë mekanizmat mbikëqyrës në këtë vend dhe po ia japim Albin Kurtit.
E kemi pa se çfarë ka ndodhur këto pesë vite edhe me lirinë e medias, edhe me sistemin gjyqësor, e kemi pa sa ka qenë në gjendje Presidentja me mbikëqyrë ose me siguru balancat në punën e qeverisë”, u shpreh Mustafa.