PDK anëtarësohet në rrjetin e Partive Liberale të Evropës Juglindore - Gazeta Express
string(68) "pdk-anetaresohet-ne-rrjetin-e-partive-liberale-te-evropes-juglindore"

PDK anëtarësohet në rrjetin e Partive Liberale të Evropës Juglindore

Lajme

Gazeta Express

14/05/2022 16:33

Partia Demokratike e Kosovës, edhe zyrtarisht sot është bërë pjesë e Organizatës së Partive Liberale të Evropës Juglindore (LIBSEEN).

Në takimin e Komitetit Drejtues të Rrjetit Liberal të Evropës Juglindore (LIBSEEN), të mbajtur sot në Sarajevë, PDK është pranuar në këtë organizatë me të drejta të plota.

Lexo Edhe:

LIBSEEN është organizatë që bashkon rreth vetes partitë liberale nga Evropa Juglindore dhe është pjesë e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE).

Në themelin dhe strukturën e saj, LIBSEEN promovon vizionin që mbështetë Bashkimin Evropian si konstruksion politik, shoqëror e demokratik, duke përqafuar vlerat e përbashkëta dhe angazhohet për integrimin sa më të shpejtë të Evropës Juglindore në BE.

Anëtarësimi i Partisë Demokratike të Kosovës në LIBSEEN ofron një platformë të re në vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe avancimin edhe të mëtutjeshëm të bashkëpunimit rajonal.

Në të njëjtën kohë, edhe ky hap për PDK-në është në vazhdën e reformave rrënjësore që Partia Demokratike e Kosovës po zhvillon drejt avancimit të demokracisë dhe fuqizimit të vlerave evropiane në Kosovë dhe Rajon.

Anëtarësimi i PDK-së në LIBSEEN ka ardhur si rezultat i vendimmarrjes së Këshillit Drejtues ku është vendosur që PDK të anëtarësohet në të gjitha organizatat e partive liberale.