Partia Demokratike ka ngritur një grup pune prej 3 personash të cilët do të negociojnë me partitë e tjera opozitare për të përzgjedhur emrat e kandidatëve që do të garojnë për Bashkinë e Tiranës dhe 5 bashkitë e tjera ku do të mbahen zgjedhje të parakohshme.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i PD Sali Berisha, në konferencën për shtyp. Sipas Berishës, grupi negociator do të diskutojë me partitë e tjera të koalicionit dhe ato jashtë koalicionit për të përzgjedhur emrat e kandidatëve, e më pas do të bëhet seleksionimi i tyre.
“Unë kam ngarkuar një grup prej 3 personash që do të negociojnë me partitë e tjera për emrat. Do të jenë Flamur Noka, Belind Këlliçi edhe Ilir Alimehmeti, do të jenë përfaqësuesit tanë, do negociojnë me partitë e tjera. A më shkon mua që nga një anë t’ju them partive të tjera si do negociojmë dhe nga ana tjetër të them emra? Këta 3 persona janë të ngarkuar të negociojnë me të gjitha partitë opozitare, në koalicion dhe jashtë koalicionit. Ata takohen për kandidatët. Pasi të bien dakord për emrat me parti të tjera pastaj vjen radha e kandidatëve. Puna është në vazhdim. Unë nuk kam ndërmend që të prononcohem për njeri”, u shpreh Sali Berisha.