string(91) "pd-kerkese-kqz-per-votat-nga-greqia-persona-te-lidhur-me-ps-mund-te-kene-grumbulluar-zarfat"

Shqiperi

Gazeta Express

05/05/2025 10:28

PD kërkesë KQZ për votat nga Greqia: Persona të lidhur me PS mund të kenë grumbulluar zarfat

Shqiperi

Gazeta Express

05/05/2025 10:28

Partia Demokratike ka kërkuar ndërhyrje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve lidhur me mënyrën e administrimit të votave të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi, duke ngritur shqetësime për ndryshimet në procedurat dhe për problematika të raportuara në terren.

Në një letër zyrtare drejtuar Komisionerit Ilirjan Celibashi, përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Franc Nuri, ka vënë në dukje një ndryshim në mënyrën e shpërndarjes së zarfeve për votim:

“Para pak ditësh, KQZ ndryshoi papritur qasje. Përmes një njoftimi të thjeshtë të publikuar në rrjetet sociale të KQZ, votuesit shqiptarë në Greqi u njoftuan nga KQZ se duhet të paraqiten personalisht pranë pikave të DHL-së për të tërhequr zarfin e votimit. Ky ndryshim i befasishëm ka sjellë jo vetëm konfuzion mes votuesve, por ka ngritur edhe shqetësime serioze për transparencën, standardin dhe ligjshmërinë e procesit.”

Gjithashtu, PD pretendon se ka informacione për ndërhyrje të mundshme në procesin e shpërndarjes së zarfeve.

“Kemi raportime se zarfet me vota nuk po u dorëzohen qytetarëve në dorë në banesë, por shpeshherë po përvetësohen në mënyrë të organizuar nga individë të caktuar që mund të paraqiten pranë pikave postare (qoftë zyrtare, qoftë nënpagesë si zyra bastesh, apo hyrje pallatesh), duke përdorur makina me qira me targa shqiptare për të shmangur gjurmët. Këta persona, të dyshuar të lidhur me Partinë Socialiste dhe strukturat e saj, ka njoftime se mund të kenë grumbulluar zarfa me fletët e votimit, çka është totalisht e ndaluar dhe penalisht e dënueshme.”

Një tjetër pikë që PD sjell në vëmendje është fluksi i dërgesave të votave që kanë mbërritur në Shqipëri pak ditë përpara zgjedhjeve:

“Sot më 4 Maj 2025, vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve janë raportuar nga KQZ se mbi 6 mijë zarfe të ardhura në Tiranë nga Greqia, ndërkohë që për disa javë më parë numri total ishte 17,700. Si shpjegohet që një e treta e të gjithë zarfave të Greqisë vijnë në një ditë të vetme? Ky fluks i pazakontë dhe i papritur, në kontekstin e problemeve të raportuara përforcon dyshimet mbi integritetin e procesit.”

Në përfundim, selia blu shpreh shqetësimin se ndryshimet procedurale dhe vështirësitë në shpërndarje mund të ndikojnë negativisht te besimi i publikut në procesin zgjedhor:

“Shqetësimi ynë është i thellë jo vetëm për integritetin e votës, por edhe për pasoja të rënda që kjo situatë mund të ketë në besimin e publikut te procesi zgjedhor dhe demokracia në tërësi. Nëse kjo situatë nuk korrigjohet menjëherë, procesi i votimit të diasporës rrezikon të mbetet një eksperiment i dështuar, i shtrenjtë dhe me pasoja serioze për vendin.”