Në seancën e sotme deputetët e kuvendit të Kosovës e zgjodhën kryetarin e ri të këtij institucioni, Dimal Bashën, shkruan Gazeta Express.
Ky i fundit, pasi mori votat, mbajti një fjalim e pastaj mori edhe drejtimin e parlamentit.
Nga pozita e të parit, ai njoftoi për një pauzë një orëshe për tu kthyer sërish e për të vazhduar me zgjedhjen e nënkryetarëve të parlamentit.
Megjithatë, në një raportim të pak minutave më parë të REL’it, thuhet se në sallën e parlamentit s’është asnjë deputetë.
Ndërsa për zgjedhjen e nënkryetarëve më herët ka shkruar Naim Jakaj i IKD-së.
Ai ka sqaruar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit, proces i cili pritet të ndodh pas zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.
Sqarimi:
Si duhet të ndjeket procedura për zgjedhjen e nënkryetarëve pas disa minutave?
Kryetari i Kuvendit kërkon nga tri subjektet më të mëdha parlamentare (LVV, PDK, LDK) të propozojnë nga një kandidat/e për nënkryetar/e, ndërsa kandidati i LVV-së duhet të jetë i gjinisë tjetër nga Kryetari.
Nënkryetarët e tre partive votohen në pako.
Kryhet kjo procedurë dhe vazhdojmë me votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë.
Deputetët e komunitetit serb propozojnë një kandidat për nënkryetar, ashtu si edhe deputetët e komuniteteve tjera joshumicë, të cilët më pas zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Propozimet bëhen me shkrim, ndërsa nëse nuk ka propozime, kandidatët përcaktohen me short në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse, nën administrimin e Kryetarit të Kuvendit.
Nënkryetarët e dy komuniteteve votohen në pako.
*Fotografia ilustruese