Paul Pogba mund të rikthehet në fushën e blertë këtë verë, pasi AS Monaco i ka ofruar një kontratë dyvjeçare mesfushorit francez, i cili aktualisht është lojtar i lirë pas përfundimit të aventurës te Juventusi dhe pezullimit për doping.
32-vjeçari ishte pezulluar për katër vite nga autoritetet italiane të antidopingut pas një rezultati pozitiv për testosteron në vitin 2023, por pas një ankese të suksesshme në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), dënimi iu reduktua, duke e bërë të gatshëm për t’u rikthyer në fushë këtë verë.
Sipas Gianluca Di Marzio, bisedimet mes Pogba dhe Monacos kanë përparuar ndjeshëm, pasi lojtari është “gati për një eksperiencë të re”. Fabrizio Romano ka konfirmuar se oferta zyrtare dyvjeçare është bërë, ndërsa diskutimet mbi projektin sportiv po vazhdojnë këtë fundjavë. Ndërkohë, Pogba po shqyrton edhe oferta të tjera, përfshirë një nga një klub spanjoll.
Kthimi i Pogbas në Ligue 1 do të shënonte gjithashtu rikthimin e tij në futbollin francez pas më shumë se një dekade, që nga koha kur u largua nga Le Havre për të kaluar te Manchester United në vitin 2009.
Në të njëjtën kohë, Monaco është në fazat përfundimtare të transferimit të Ansu Fati nga Barcelona. 21-vjeçari spanjoll, që luajti si i huazuar në Premier League me Brightonin sezonin e kaluar, pritet të nënshkruajë së shpejti me klubin francez, pasi janë duke u zgjidhur vetëm disa detaje të fundit.
Klubi i Principatës, që u rendit i treti në Ligue 1 dhe siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, po përgatit një merkato të fuqishme. Pogba shihet si lideri i mundshëm i mesfushës, ndërsa Fati shihet si një investim afatgjatë me potencial të lartë në repartin ofensiv.
Në një raportim për Sky Sports News, gazetari Kaveh Solhekol konfirmoi se Pogba po e shqyrton seriozisht ofertën e Monacos dhe se interesimi për të është i madh edhe nga liga të tjera.