Patriotizmi i futbollit dhe atdheu si shtëpi pa zot - Gazeta Express
string(51) "patriotizmi-i-futbollit-dhe-atdheu-si-shtepi-pa-zot"

Patriotizmi i futbollit dhe atdheu si shtëpi pa zot

OP/ED

Gazeta Express

31/10/2024 14:51

Shkruan: Adri Nurellari

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Kampionatin Evropian sivjet solli kulmimin e patriotizmit shqiptar, i cili gjithnjë e më shumë po duket se është reduktuar në një tifozeri futbolli dhe fenomen zbavitës kalimtar sesa në një përkatësi të shtrenjtë shpirtërore. Në çastet kur skuadra kombëtare hynte në fushën e blertë, Shqipëria duket si një shtëpi e ngrohtë, ku flamuri valëvitej në çdo zemër, himni ushtonte në çdo frymëmarrje dhe çdo gol përjetohej si një betejë e fituar për Shqipërinë. Por përtej stadiumit, kjo ndjenjë ngrihet e avullon, duke mbetur si një jehonë e largët. Në përditshmëri, Shqipëria duket se zbehet nga kujtesa e përbashkët dhe të largohet nga ndjenja jonë e përkatësisë.

Lexo Edhe:

Shumë qytetarë e shohin më shumë si një stacion transit sesa një shtëpi të përhershme, një vend nga i cili është më e thjeshtë të largohesh e ta braktisësh sesa të ndjesh përgjegjësinë për ta mbrojtur dhe përmirësuar . Dhe kështu, atdheu ynë shpesh mbetet si një shtëpi pa zot, i braktisur dhe i pambrojtur, duke humbur popullsinë, pasurinë, trashëgiminë, krenarinë dhe identitetin e vet çdo ditë.

Përveç kampionatit evropian, sivjet dolën edhe të dhënat e publikuara nga Censi 2023 që nxjerrin se Republika e Shqipërisë është vendi me përqindjen më të lartë në botë të popullsisë së larguar. Këto të dhëna të krahasuara me regjistrin civil, tregojnë një panoramë të rëndë që tregon se 48% e popullsisë, ose rreth 2.2 milionë shqiptarë, jetojnë jashtë vendit. Ky largim masiv përfshin vetëm ata që ende e mbajnë shtetësinë, pa llogaritur shqiptarët që kanë hequr dorë prej saj apo fëmijët e emigrantëve të paregjistruar. Kjo situatë nuk mund të shpjegohet thjesht përmes faktorëve shtytës dhe tërheqës që zakonisht përdoren për të analizuar emigracionin, sepse vende të ngjashme, ku ndikojnë të njëjtët faktorë, përballen me nivele shumë më të ulëta emigracioni. Po ashtu, nuk mund të justifikohet vetëm nga kushtet social-ekonomike, pasi ka kombe të tjera me sfida ekonomike edhe më të mëdha se Shqipëria, por që nuk përjetojnë këtë përmasë alarmante të largimit të popullsisë. Ky fenomen sugjeron një shkëputje më të thellë nga ndjenja e përkatësisë dhe një dobësim të lidhjes shpirtërore me atdheun, që shkon përtej arsyeve të zakonshme të emigracionit. E njëjta gjë vlen fatkeqësisht edhe për Kosovën.

E vërteta e hidhur është se sot ky fenomen emigracioni i përmasave të pakrahasueshme në botë, në pjesën më të madhe buron nga mungesa e patriotizmit. Në një vend ku ndjenjat kombëtare janë të dobëta, qytetarët janë më të prirur të kërkojnë të ardhme jashtë vendit, pa një ndjenjë përkushtimi për të qëndruar e kontribuar për të përmirësuar vendin e tyre. Një tjetër ilustrim i mungesës së patriotizmit është përmasat e abuzimeve dhe korrupsionit që po dalin në dritë dita-ditës nga SPAK-u (por që për ne, gjithsesi, kanë qenë sekrete publike). Një nga arsyet kryesore pse këto fenomene tolerohen dhe kanë arritur këto përmasa është niveli i thellë i indiferencës që shkaktohet prej humbjes së ndjenjës së përkatësisë. Kur Shqipëria nuk përjetohet si shtëpi, qytetarët nuk që e ndiejnë atë si pronën e tyre apo si pasuri të përbashkët. Shoqëria, në këtë rast, jo vetëm që nuk indinjohet nga hajdutët e veshur me pushtet, të cilët sot po u vjedhin shqiptarëve të kaluarën dhe të ardhmen, por, përkundrazi, shpesh i sheh ata me admirim, si të “zotë,” “të shkathët,” apo me fat, që përfitojnë nga një tokë pa zot. Thënë ndryshe, ashtu siç nuk do lejonim kurrë që dikush të hyjë e të na grabisë shtëpinë tonë, ne nuk do duhej që të lejonim që Shqipëria të shkatërrohet apo të grabitet pa ndjerë revoltën dhe dhimbjen që ta sjell vetëm përkatësia ndaj një vendi të cilin e ndien si shtëpinë tënde. Një nga pasojat më të mëdha të mungesës së patriotizmit është rreziku i dobësimit të identitetit kombëtar. Pa këtë ndjenjë të përbashkët, qytetarët priren të kthehen drejt identiteteve më të ngushta dhe ndarëse, si ato sektariane, fetare, krahinore apo klanore. Ky regres, nga një identitet kombëtar gjithëpërfshirës drejt grupimeve të vogla, krijon përçarje sociale që minojnë kohezionin e një shoqërie të shëndetshme dhe funksionale. Në mungesë të patriotizmit të fortë, ideologjitë e huaja politike apo sociale mund të depërtojnë lehtë, duke destabilizuar identitetin kombëtar dhe rrezikuar konfliktet ideologjike. Një gjë e tillë mund të konsiderohet ndikimi nga lindja i ekstremizmit fetar që ka prekur një pjesë të kombit shqiptar. Në një vend ku mungon patriotizmi i përditshëm, dobësohet edhe vetë ideja e shtetit si një tërësi ku të gjithë kanë pjesën dhe përgjegjësinë e tyre.

Pa një ndjenjë se ky vend është i të gjithëve, demokracia dhe qeverisja e drejtë bëhen gjithnjë e më të vështira. Demokracia kërkon një popull të bashkuar, një “demos” që ndan përkushtimin për ta mbrojtur dhe përmirësuar shtëpinë e përbashkët, që është Shqipëria. Pra, kërkon një popull relativisht monolit, të bashkuar dhe të vendosur në një territor të përbashkët e kompakt. Në këtë mënyrë, mungesa e patriotizmit është një kërcënim jo vetëm për stabilitetin kombëtar, por edhe për vetë ekzistencën e një sistemi demokratik funksional. Pa një demos të fortë dhe një identitet kombëtar të qëndrueshëm, demokracia dhe qeverisja e drejtë bëhen jofunksionale, duke lënë vend për kaos dhe ndarje të thella shoqërore. Kur qytetarët ndihen të ndarë në grupe të vogla me identitete konkurruese, kur më shumë rëndësi ka partia sesa atdheu, besnikëria ndaj një lideri sesa besnikëria ndaj interesit kombëtar, qeverisja demokratike bëhet e vështirë dhe, në disa raste sikurse mund të jetë ky i shqiptarëve, jofunksionale. Pa këtë identitet të përbashkët kombëtar, është e vështirë që demokracia të krijojë një unitet që garanton të drejtat e barabarta dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve. Po ashtu përkushtimi ndaj demokracisë dhe institucioneve kombëtare zbehet, çka çon në rënie të vigjilencës apo presionit qytetar dhe, potencialisht, në prirje autoritare që nuk hasin revoltë prej qytetarëve. Qytetarët pa bazë patriotike kanë më pak vullnet për të bërë sakrifica personale për të mirën e përbashkët, qoftë në kohë lufte, vështirësi ekonomike, krize apo diktature.

E njëjta logjikë vlen edhe për sistemet e qeverisjes që garantojnë të drejtat themelore. Një sistem qeverisës që siguron liri dhe drejtësi nuk mund të funksionojë në një hapësirë “eterike” ose efemere, ku qytetarët janë të ndarë dhe të shkëputur nga ndjenja e përbashkët e kombit. Kur nuk ekziston një lidhje e fortë midis qytetarëve dhe shtetit, sistemi ligjor fillon të shpërbëhet. Qytetarët humbasin besimin tek institucionet dhe ndarja e përgjegjësive bëhet gjithnjë e më e paqartë.

Prandaj, nëse nuk kultivojmë një ndjenjë të qëndrueshme përkatësisë kombëtare, rrezikojmë jo vetëm identitetin tonë kombëtar, por edhe vetë sistemin politik që garanton liritë dhe të drejtat tona.

Institucione kryesore, si forcat e armatosura, policia, gjyqësori dhe sistemi arsimor, mund të kenë vështirësi në përmbushjen e misionit të tyre pa një ndërgjegje patriotike, pa një bosht moral që i lidh ato me synimet kombëtare. Kjo shpjegon pak a shumë edhe lehtësinë me të cilën zyrtarë të lartë të këtyre institucioneve shpesh gjenden të zhytur në korrupsion e krim. Nga ana tjetër pa këtë lidhje të përkatësisë kombëtare, qytetarët bëhen më të prirur për të mos respektuar ligjet, për të shmangur pagesën e taksave apo për të kontribuar për të mirën publike, duke parë interesin kombëtar si të huaj për ta. Faktikisht ka studime bashkëkohore që demonstrojnë se ka një lidhje shkak pasojë midis patriotizmit dhe sjelljes së një qytetari të përgjegjshëm, pra ata që janë më shumë patriotë kanë më shumë prirje për të qenë të rregullt me pagesën e taksave, me dhurimin e gjakut apo aktivitete me interes komunitar. Fundja një popull që nuk e vlerëson të ardhmen e vendit të tij humbet vullnetin për të investuar në projekte afatgjata, që përfshijnë infrastrukturën, arsimin, shkencën dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Kjo është edhe arsyeja përse këto tema zënë pak vend në bisedat e përditshme të shoqërisë.

Mungesën e patriotizmit mund ta shohim edhe në sjelljen tonë ndaj pasurive të përbashkëta, në mënyrën si trajtojmë monumentet kombëtare, ambientin, dhe çdo cep të këtij vendi. Për ata që nuk e ndiejnë Shqipërinë si shtëpinë e tyre, muret e saj janë të ftohta, ndjenja e përgjegjësisë është e zbehtë, dhe pasuritë kombëtare janë thjesht pika të largëta në një hartë. Ky mungesë kujdesi për tokën që na përket ka çuar në një degradim të frikshëm të monumenteve, të mjedisit, parqeve dhe të hapësirave publike – sikur të mos kishim nevojë për to, sikur të mos ishin pasuria jonë. Patriotizmi është baza e ruajtjes së gjuhës dhe letërsisë kombëtare, por pa këtë ndjenjë, këto vlera lihen pas dore, duke sjellë rrënimin gjuhësor dhe situatën aktuale ku e folura është e mbushur me barbarizma e brezat e rinj flasin shqip-anglisht. Mungesa e patriotizmit nxit, gjithashtu, qytetarët të preferojnë produktet e huaja ndaj atyre vendase, duke dobësuar industrinë apo artizanatin vendas. Mjafton të shikosh mungesën e rakisë nëpër lokalet apo restorantet e modës për të kuptuar mbizotërimin e ksenocentrizmit në sjellje konsumatore. Simptomat që sjell zhveshja nga atdhedashuria janë të shumta dhe gjenden në çdo sferë të jetës shoqërore, por në fund ajo që vlen të theksohet është e vërteta e hidhur është se pa një ndjenjë të qëndrueshme patriotizmi, Shqipëria mbetet një shtëpi e zbrazët, e lënë në harresë, që përjetohet vetëm në ndonjë festë apo në çastet e euforisë sportive ndërsa në përditshmëri lihet në harresë. Largimi masiv i shqiptarëve dhe toleranca ndaj abuzimeve të pushtetarëve janë shenja të një krize më të thellë – një boshllëk shpirtëror që po zbraz këtë vend nga ata që duhet të ishin forca e tij më e madhe. E kanë bërë vendin të duket më shumë si një hapësirë transiti, ku njerëzit kalojnë pa u ndjerë të lidhur me të, dhe ku përgjegjësia ndaj tij dobësohet dita-ditës.

Patriotizmi i vërtetë nuk është thjesht një emocion kalimtar; është një përgjegjësi, një lidhje e patjetërsueshme që na bën të qëndrojmë për të ardhmen e përbashkët, një forcë që na bën ta duam këtë vend edhe në ditët e tij më të vështira. Për të mos e lënë Shqipërinë të shndërrohet në një destinacion të harruar, na duhet një rilindje të kësaj ndjenje përkatësie, që t’i japim kuptim të përbashkët të ardhmes dhe ta kthejmë Shqipërinë në shtëpinë që na përket të gjithëve.