Patriotizmi shpesh reduktohet në simbole, fjalime të zhurmshme dhe shfaqje emocionale. Por në thelb, ai është shumë më tepër se kaq. Patriotizmi i vërtetë është një marrëdhënie e përditshme me vendin tënd, një përgjegjësi morale që nuk shfaqet vetëm në momente historike, por në jetën e zakonshme të çdo qytetari.
Shkruan: Nikolle D Ukaj
Pa dyshim, patriotizëm është edhe mbrojtja e territorit dhe lufta për ta ndalur armikun. Historia jonë e ka dëshmuar këtë me gjak dhe sakrificë. Por këto janë momente të rralla, të jashtëzakonshme, që ndodhin në rrethana historike të veçanta. Ato nuk mund dhe nuk duhet të jenë forma e vetme e patriotizmit.
Patriotizmi i përditshëm është ai që ndërton shtetin në kohë paqeje. Është puna e ndershme, respektimi i ligjit, kujdesi për pronën publike dhe për mjedisin. Është të mos e duam vendin vetëm sepse kemi kontribuar një herë për të, por ta duam sepse e duam përherë, duke e bërë çdo ditë të lulëzojë dhe të duket më i mirë.
Të duash vendin do të thotë të mos e mashtrosh atë. Të mos e vjedhësh, të mos e shkatërrosh dhe të mos e përdorësh për interesa personale. Patriotizëm është kur e kryen detyrën me përgjegjësi, kur ndihmon që vendi të ecë përpara dhe jo ta mbash peng zhvillimin e tij.
Patriotizëm është edhe kujdesi për tokën dhe natyrën tonë. Nuk mjafton të vendosim simbole në male e kodra, nëse përreth tyre mbizotëron papastërtia dhe neglizhenca. Dashuria për atdheun tregohet duke e mbajtur të pastër, të rregullt dhe të jetueshëm çdo cep të tij, e jo duke hedhur mbeturina me shumicë pranë maleve, përrenjve dhe hapësirave natyrore që janë pasuri e çmuar e vendit tonë.
Po ashtu, patriotizëm është respekti për pronën publike: shkollat, spitalet, fushat sportive dhe hapësirat e përbashkëta. Ato nuk janë askujt dhe janë të të gjithëve. T’i ruash dhe t’i mirëmbash është një akt i qartë dashurie për vendin.
Një shoqëri patriotike është edhe një shoqëri që respekton njëri-tjetrin. Të merresh vesh me fqinjin, të shmangësh konfliktet e panevojshme, të mos jesh në armiqësi të përhershme as për çështje familjare apo pronësore. Përçarja e brendshme e dobëson çdo komb.
Ne mund të jemi patriotë duke respektuar edhe kombet e tjera, pa e humbur dashurinë më të madhe për tonën. Patriotizmi nuk është urrejtje ndaj tjetrit, por përgjegjësi ndaj vetes dhe vendit tënd.
Këtë e kishte kuptuar edhe Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili theksonte se “liria fitohet me gjak, por ruhet me mençuri”. Kjo mençuri sot nuk kërkohet në fushëbetejë, por në jetën e përditshme: në punën e ndershme, në respektin për ligjin dhe në kujdesin për vendin.
Sot, për fat të keq, shpesh shohim një patriotizëm të zhurmshëm, që shitet për interes, për pushtet apo për t’u dukur para të tjerëve. Ky është patriotizëm i rremë. Patriotizmi i vërtetë është i heshtur, i qëndrueshëm dhe i sinqertë.
Në fund, patriotizmi nuk është ajo që themi në raste festive, por ajo që bëjmë çdo ditë. Ta duash vendin do të thotë ta ndërtosh atë me vepra, jo vetëm me fjalë.