Një 45-vjeçar i cili dhunoi bashkëjestuesen dhe e kërcënonte se do ta vriste ka rënë në prangat e policisë së Patosit.
Në shtëpinë e Igli Rapa në fshatin Dukas, blutë gjetën edhe një kallashnikov që i arrestuari e mbante pa leje.
Arma e zjarrit me municion u sekuestrua si provë materiale.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të denoncimit të një 26-vjeçareje, se bashkëjetuesi e kishte dhunuar dhe kanosur për jetën, shërbimet e Stacionit të Policisë Patos parandaluan ngjarje kriminale në këtë familje, si dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, mundësuan kapjen në flagrancë dhe vënien në pranga të autorit të rastit, shtetasit I. R., 45 vjeç.
Në vijim të veprimeve policore për këtë rast, u krye kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, që posedohej pa leje”, informoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.