Ka qenë një punë e qetë në një vend të sigurtë, në një ndërtesë zyrash të shtrenjta. Por, ndonëse rreziku ka ikur, trauma e asaj ngjarjeve mbetet.
Postimi i Ruben Avxhiu, kryeredaktor i Illyria, gazetës shqiptaro-amerikane me qendër në Nju Jork:
PASTRUESJA SHQIPTARE QË U GJEND BALLË PËR BALLË ME AUTORIN E MASAKRËS NË MANHATTAN
Për fat, vrasësi ia kurseu jetën gruas 65-vjeçare në qiellgërvishtësin me zyra në Park Avenue – ja historia e treguar prej saj
Një i çmendur i armatosur tronditi Qytetin e New York-ut pak ditë më parë kur hyri i armatosur me automatik në një nga ndërtesat me zyra në 345 Park Avenue.
Pasi ekzekutoi një oficer policie, një punonjës sporteli dhe një grua që u përpoq të fshihej mbas një kollone në holl, ai mori ashensorin dhe u ngjit në katin 33 të ndërtesës ku ishin zyrat e firmës Rudin management. Pikërisht aty qëllloi që po punonte si pastruese shqiptarja Sebije Neloviç.
Megjithëse ishte ora gjashtë e gjysëm e mbasdites kishte ende njerëz nëpër zyra. Mes të cilëve edhe 27 vjeçarja Julia Hyman, e diplomuar nga Cornell University, e cila shpesh punonte rrinte deri vonë në darkë. Kështu tregon Sebija që e shihte shpesh në orët e vona kur bëhet pastrimi i zyrave.
“Po mblidhja plehrat si zakonisht”, tregon ajo për rrjetin televiziv CNN kur dëgjoi zhurma që ngjanin si shashka. Ajo kishte dalë për të parë te hyrja e katit, kur dera e madhe e xhamit u rrëzua copë copë.
Pastaj pa vrasësin.
Ngriti instiktivisht duart lart dhe bërtiti “jam pastruesja, jam pastruesja”. Ai shkoi drejt saj duke qëlluar me armë, por jo në drejtim të saj.
Po të donte do ta kishte vrarë, kështu që gruaja 65-vjeçare filloi të vraponte përgjatë korridorit, gjeti një dollap dhe u fut aty, duke mbyllur derën nga brenda.
“Fillova të lutem, ndërkohë që dëgjoja të bërtitura në korridor. Ndenja 5 minuta, ose 10 minuta, kur e dëgjova që po ecte në korridor”, tregon ajo. “Goditi derën e dollapit dhe u tremba shumë. Por nuk më ndodhi gjë. E dëgjova që shkoi më tej në korridor dhe më shkoi mendja të Julia. E dija që ishte në zyrën e saj dhe po thoja Zoti e ndihmoftë”.
Më pas të shtënat pushuan dhe ra qetësia. Aty e kishte telefonuar supervizori dhe e kishte pyetur me tekst se ku ishte. “I thashë që jam në dollap, dhe më tha që të rrija aty ku isha”.
Shumë punonjës ishin kyçur në zyrat përkatëse. Një fotografi e botuar prej asaj dite tregon dy punonjës që e kanë bllokuar derën e zyrës së tyre me divane, kolltuqe e tavolina.
Pastruesja shqiptare e kishte mbyllur celularin dhe kishte qendruar në dollap për dy ose tre orë. Derisa më në fund kishin ardhur oficerë policie dhe i kishin thënë Sebijes se mund të dilte pa frikë nga dollapi.
Vrasësi kishte vrarë veten.
E kishin pyetur se kë të njoftonin nga familja, por ajo kishte frikë se bëheshin merak. Oficerët e policisë e kishin çuar pastaj vetë në shtëpi me makinën e tyre.
Kur mberriti, djali i saj i kishte parë pamjet në TV dhe ishte gjithë frikë për fatin e nënës.
Për fat të mirë, për familjen e tyre gjithshka mori fund aty.
Hetuesit mendojnë se vrasësi po kërkonte zyrat e Ligës Kombëtare të Futbollit Amerikan NFL, por kishte marrë ashensorin e gabuar. Një letër që iu gjet në xhep thoshte se vuante nga CTE, një sëmundje nga traumat e kokës që shpesh lidhet me lojtarët e futbollit amerikan.
Sebija ka 27 vjet që punon në atë ndërtesë, që nga viti 1998 dhe është anëtare e Sindikatës 32BJ SEIU që ka në radhët e saj mijëra shqiptaro-amerikanë. Ka qenë një punë e qetë në një vend të sigurtë, në një ndërtesë zyrash të shtrenjta. Por, ndonëse rreziku ka ikur, trauma e asaj ngjarjeve mbetet.
“Për herë të parë në jetën time, kam frikë tani, kur marr trenin, kur vij në punë”, thotë Sebija për rrjetin televiziv CNN.