Ndërmarrja “Pastrimi” nga e hëna rifilloi punën pas marrëveshjes me Komunën e Prishtinës.
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Reçica, në intervistë për Ekonomia Online, bëri të ditur se po punojnë me kapacitete të plota.
“Normalisht ka shumë punë. Shumë për shkak se ka zona të shumta që nuk është kryer shërbimi më shumë se një muaj. Presim nga qytetarët mirëkuptim, derisa të kthehemi në pikën zero. Jemi duke punuar shumë, kemi dalë me ekipe shtesë dhe besoj shumë se do të arrijmë ta kthejmë në normalitet”, tha Reçica.
Ai tha se pas finalizimit të marrëveshjes të ndërmarrjes “Pastrimi” me komunën e Prishtinës, janë bartur rreth 384 mijë euro nga Komuna për shpenzimet e periudhës janar-maj.
Pagesa e parë e bërë nga komuna është shfrytëzuar për furnizimin me naftë, gjë që ka mundësuar fillimin e shërbimeve të pastrimit në qytet, pas më shumë se një muaji ndërprerjeje.
“I kemi filluar punët në momentin që kanë dalë një pjesë e vogël e mjeteve, të cilat qytetarët i kanë paguar në Komunë, janë bartur tek ne dhe puna e parë që e kemi bërë, ishte pagesa e naftës dhe me këtë rast na është mundësuar të dalim në operim “, tha ai
Reçica bëri thirrje për mirëkuptim të qytetarëve, duke theksuar se ekipet janë në terren me intensitet të shtuar për të normalizuar situatën.
“Nuk jemi stabilizuar ende, sepse për pjesën e madhe të pagesave për shërbimin që kemi kryer janar-maj, jemi në fazën finale dhe besoj që pesë ditët e para të korrikut të arrijmë marrëveshje edhe me gjykatë përmes procedurës së ndërmjetësimit që do të na mundësojë të marrim pjesën e atyre shpenzimeve dhe të jemi dukshëm më stabilë. Në anën tjetër, qytetarët duhet t’i përgjigjen pozitivisht pagesave, sepse është e pamundur të kryejmë shërbim pa i pranuar edhe pagesat”, tha Reçica.
Ai vë në dukje se tani nuk ka dilemë se ku duhet të kryhet pagesa.
“Tani e tutje pagesat bëhen tek kompania ‘Pastrimi’. Ne presim nga 1 qershori deri më 30 qershor të bëhet përfundimisht mbyllja e pagesave që është bërë në komunë. Nga 1 korriku qytetarët mund të paguajnë faturat në ‘Pastrimi’. Do të analizojmë listat e qytetarëve që kanë paguar dhe do të zbriten nga borxhet që i kanë paguar në komunë. Nuk do të ketë asnjë qytetar që do të dëmtohet”, tha për EO, drejtori Reçica.
Komuna dhe ndërmarrja “Pastrimi” kanë arritur një marrëveshje lidhur me pagesat e shërbimeve të ofruara për periudhën janar-maj. Palët janë pajtuar që kjo çështje të adresohet në gjykatën kompetente dhe të zgjidhet me marrëveshje. Pas vendimit të Gjykatës Supreme, është rënë dakord që “Pastrimi” të bëjë vetë inkasimin e pagesave për shërbimin e mbledhjes së mbeturinave. Po ashtu, është vendosur që mjetet e inkasuara nga komuna gjatë kësaj periudhe të transferohen menjëherë tek Kompania “Pastrimi”.