Pasi u sinkronizua me VV'në, Osmani hap front me gazetarët, do të rrijë në krye të shtetit edhe për inati të tyre - Gazeta Express
string(110) "pasi-u-sinkronizua-me-vvne-osmani-hap-front-me-gazetaret-do-te-rrije-ne-krye-te-shtetit-edhe-per-inati-te-tyre"

Lajme

Gazeta Express

11/09/2025 17:53

Pasi u sinkronizua me VV’në, Osmani hap front me gazetarët, do të rrijë në krye të shtetit edhe për inati të tyre

Lajme

Gazeta Express

11/09/2025 17:53

Vjosa Osmani po hedh hapa në funksion të kandidimit edhe për një mandat në krye të shtetit. Formulën për këtë si duket e ka qartë: afrimi me Albin Kurtin në muajt e fundit të mandatit dhe gjuha konfrontuese me mediat që pëlqehet nga VV. Të dyja i bëri gjatë kësaj jave. Të hënën, në stadium festoi me Kurtin golat e Kosovës kundër Suedisë, të nesërmen u rreshtua me VV-në rreth lëndës së Listës Srpska në Kushtetuese, ndërsa të mërkurën dhe te enjten dhezi një luftë me media duke i sulmuar ato me pretekstin se po ia përndjekin vajzat – që doli të jetë e pavërtetë.   

Gazeta Express

Presidentja Vjosa Osmani gjatë mandatit të saj pati përplasje të herëpashershme me kryeministrin Albin Kurti me të cilin i hyri garës zgjedhore bashkë gati pesë vjet më parë. Hiç më larg se në fund të vitit të kaluar, gjuha e Osmanit ishte e ashpër karshi Kurtit dhe qasjes së tij ndaj aleatëve, duke e akuzuar atë se me rrezikimin e partneritetëve me aleatët e cenon vetë mbrojtjen e Kosovës.

Mbahet mend një fjalimin i Osmanit vitin e kaluar, mesazh direkt për Kurtin, ku kishte thënë se “të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim”.

Ajo kishte thënë se Kryeministri po luan bixhoz me aleancat.

“Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e superfuqive botërore: do të shihni qindra fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk munden t’ia dalin të vetëm”, kishte thënë ajo.

Mospajtimeve duket se iu dha fund krejt së voni, më saktësisht këtë javë,  kur sinkronizoi gjuhën e saj me atë të Vetëvendosjes për Listën Srpska. Tashmë Presidentja një front të ri konfrontimi e ka hapur me gazetarët, për inat të të cilëve tha se do të bëhet presidente për herë të dytë. Kësaj qasje gjithësesi që i duartroket Kurti e rrjedhimisht edhe krejt VV’ja.

“A do të rikandidoj? Do të vendosi ndërkohë. Sa po them, ndoshta me marrë një pushim, po çohen do gazetarë e po më sulmojnë e po më bindin mos mu ndalë e me vazhdu”.

Kështu iu përgjigj gazetarëve sot Vjosa Osmani në pyetjen e tyre nëse do të kandidojë edhe për një mandat të dytë si presidente.

“Shumë seriozisht bile prej djeshit. Kurrë ma seriozisht”, tha ajo kur u pyet nëse e ka menduar këtë.

Osmani sot u bë nikoqire e disa gazetarëve në Presidencë, një ditë pasi u përfshi në retorikën kundër tyre për një raportim që synoi të publikonte mediumi “Paparaci” për dërgimin e vajzave të saj në shkollë private e që kameramani i cili xhiroi veturat zyrtare me të cilat ishin dërguar në shkollë vajzat e saj përfundoi i arrestuar.

Duke luajtur rolin e politikanes transparente, Osmani e shfrytëzoi rastin për sulme ndaj gazetarëve madje duke akuzuar se disa prej tyre janë të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme pa dhënë prova për këtë.

Në këtë bashkëbisedim, Osmani foli edhe për planet e saj për të ardhmen politike meqë është në fund të mandatit.

Derisa deklaratën e parë se do të bëjë këtë për inat të “disa gazetarëve” e bëri pak në të qeshur, Osmani tha se nëse do të shpallë kandidaturën e saj për presidente sërish do ta masë nëse kjo lëvizje është “në interesin e Republikës së Kosovës”.

“Do të ulem, do ta shqyrtoj a është në interesin e Republikës së Kosovës që të jem këtu dhe të flas me të gjitha partitë politike për një mundësi politike, në qoftë se duan, nëse jo atëherë dal në zgjedhje, përballemi me zgjedhje. Secili prej nesh ia ofrojmë ofertën tonë qytetarëve të Kosovës”.

Por, për t’u bërë sërish presidente, pikë së pari Osmanit do t’i duhej mbështetja e Lëvizjes Vetëvendosje.

E pyetur nëse e gëzon këtë mbështetje me unifikim e gjuhës së fundi rreth Listës Srpska, Osmani, duke e theksuar më zëshëm ndajfoljen “kurrë”, tha se për nevojën e mbrojtjes së Kosovës nga Serbia s’ka pasë ndasi me Kurtin.

“Jo vetëm këto pesë vjet që unë jam presidente dhe Kurti është kryeministër. Por, për aq sa njihemi ne kurrë nuk kemi pasë as dallimin me të vogël në atë se Kosova duhet të mbrohet nga Vuçiqi, nga Serbia dhe nga shërbëtorët e tyre në Kosovë. Kurrë nuk është kjo çështje që na ka ndarë. Gjithmonë kemi qenë në një linjë”.

Këtu Osmani u ankua për titujt e mediave se gjithmonë thonë se “Osmani është në një linjë me Kurtin” dhe jo anasjelltas. Ajo i dha edhe kontekst gjinor dhe i inkurajoi gratë gazetare që “për hir të barazisë është mirë ndonjëherë me thënë”. Sidoqoftë, presidentja këtë e konsideroi çështje dytësore a tretësore.

Një natë më herët nënkryetarja e VV’së Albulena Haxhiu dha sinjale se i “kanë” evidentuar paraqitjet e fundit të Presidentes. Sipas saj, Osmani po sulmohet për shkak të qëndrimeve ndaj Listës Srpska.

Osmani tha se nuk e ka fort problem edhe nëse mbet pa postin e presidentes – nëse këtë e vendosin qytetarët – duke thënë se pjesë e ciklit të udhëheqjes është edhe ajo e Kurti.

“Politikanët shkojnë e vijnë. Edhe ne do të shkojmë… një ditë. Por këtë le ta vendosin qytetarët se cili do të shkojmë secili prej nesh”.

Të martën e kësaj jave, Osmani doli në një konferencë për media ku shfaqi qëndrimin e saj në lidhje me bllokadën e re në Kuvend që derivoi nga moszgjedhja e nënkryetarit serb.

Zgjedhja e tij dështoi pas ndarjes nga pakoja e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë dhe më pas nga mosarritja e numrave për kandidatin e propozuar nga Lista Srpska për nënkryetar.

Sikurse kishte deklaruar Vetëvendosje, Osmani tha se Kuvendi nuk mund të bllokohet për një nënkryetar, si dhe e kritikoi Listën Srpska se po “synon” ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit.

“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do t’i cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, kishte thënë Osmani.

“Një shtet pa institucione është shtet i dështuar. Përderisa kemi kryetar, ka kuorum dhe kryesi, Kuvendi nuk duhet të bllokohet. Pozita që i takon komunitetit serb mbetet për komunitetin serb. Askush nuk do ta zërë atë vend, ai do të plotësohet në një seancë të radhës”.

Në këtë konferencë ku Osmani doli për të treguar se i ka dërguar komentet e saj në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me ankesën e Listës Srpska për nënkryetarin serb, pas së cilës u mor masa e përkohshme, ajo përdori edhe termat e njëjtë si të Vetëvendosjes.

Ajo tha se i ka kërkuar Kushtetueses të mos lejojë që kushdo të ketë të drejtën e vetos mbi proceset e rëndësishme të vendit.

“Nuk është hera e parë që Lista Serbe është larguar nga institucionet, por kjo nuk e ka bllokuar shtetin, sepse shteti duhet të ecë përpara. Duke ia dhënë një veto të tillë një partie që përfaqëson një komunitet, Republika do të zhvleftësohej në një copë letre në vend se të ishte në veprim të mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Është në duart e kësaj Gjykate ta mbrojë shtetin”, kishte thënë ajo.

Ajo madje e arsyetoi edhe gjuhën e VV’së ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që përmendën edhe tradhti, duke thënë se ata nuk janë të shenjtë.