Pasi SEED ndihmoi në lehtësimin e tregtisë, SEED+ do të rrisë më tej efikasitetin dhe do të thjeshtojë procedurat - Gazeta Express

Shqiperi

Gazeta Express

04/12/2021 13:04

Pasi SEED ndihmoi në lehtësimin e tregtisë, SEED+ do të rrisë më tej efikasitetin dhe do të thjeshtojë procedurat

Shqiperi

Gazeta Express

04/12/2021 13:04

Shkëmbimi sistematik i të dhënave elektronike (SEED) është zbatuar që nga viti 2010 dhe ka përmirësuar ndjeshëm menaxhimin e Pikave të Kalimit Kufitar (BCPs/CCPs) në Ballkanin Perëndimor. Versioni i ri SEED+ do të përmirësojë më tej efikasitetin dhe do të thjeshtojë procedurat. Këto ishin mesazhet kryesore që u dhanë në Takimet Fillestare të projektit SEED +, të mbajtura në Budva të Malit të Zi.

Në praktikë, SEED dhe SEED+ mundësojnë shkurtimin e ndjeshëm të kohës së pritjes në pikat e kalimit kufitar, thjeshtimin e inspektimit, pakësimin e formaliteteve dhe uljen e kostove.

Lexo Edhe:

Takimi në Budva ka mbledhur përfaqësues të administratave doganore, institucioneve fitosanitare dhe institucioneve veterinare të të gjitha palëve të CEFTA-s, Komisionit Evropian dhe autoriteteve doganore italiane që janë gjithashtu partnerë zbatues të SEED.

Z. Emir Djikiq, Drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s, deklaroi se SEED+ bën pjesë në prioritetet kryesore të CEFTA-s, që përveç shkëmbimit të të dhënave ndërmjet Drejtorive Doganore, do të përfshijë edhe të gjitha agjencitë e zhdoganimit të mallrave, dhe përfundimisht do të shtrihet në tregtinë e shërbimeve. Gjithashtu do të ketë ndikim pozitiv në flukset tregtare, siç parashihet në Planin e Veprimit për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. SEED+ gjithashtu do të krijojë terrenin për futjen e e-certifikatave, duke çuar në tregtinë pa letra në CEFTA, e cila deri vonë konsiderohej si një e ardhme e largët.

SEED pati një rol vendimtar në zbatimin e iniciativës së Korridoreve të Gjelbërta. Maciej Popowski, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, theksoi se Korsitë e Gjelbërta demonstruan forcë dhe rëndësi në bashkëpunimin rajonal ekonomik dhe tregtar.

“Këto kohë të vështira, e bëjnë punën që keni kryer gjatë vitit të kaluar edhe më mbresëlënëse. Kjo është veçanërisht e dukshme në Korsitë e Gjelbërta. Do të keni gjithmonë mbështetjen tonë për të vazhduar me arritjet në këtë fushë dhe për t’i bërë ato sa më të dukshme në praktikë. Nuk ka dyshim se Tregu i Përbashkët Rajonal ka potencial për të sjellë përfitime thelbësore dhe të qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor. Tregu i përbashkët rajonal është rruga më e mirë drejt tregut evropian dhe BE-së”, tha Popowski.

Z. Agron Llugaliu, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës u shpreh se mbështesin  nisjen e projektit të Sistemit SEED+. Sistemi do të mundësojë të shkëmbejmë të dhëna që mbështesin analizën dhe menaxhimin e riskut, duke e bërë tregtinë më të lehtë dhe më të sigurt. Mbështetja nga sektori i IT-së dhe analiza gjithëpërfshirëse do të na ndihmojnë ne si administrata doganore, që të përqendrohemi në ngarkesat më të rrezikshme. Nga ana tjetër, operatorët ekonomikë do të përfitojnë nga kontrollet e reduktuara dhe procedurat e lehtësuara duke i bërë aktivitetet e tyre më pak të kushtueshme.”

Si do të duket SEED+ në praktikë

Zbatimi i SEED+ do të mundësojë një proces më të lehtë të inspektimit dhe do të reduktojë formalitetet në shkëmbimin e të dhënave ndërmjet administratave të ndryshme, në lidhje me zhdoganimin e mallrave.

SEED+ do të përfshijë dy tipare kryesore: zhvillimin e CEFTA TRACES NT, platforma dixhitale që mundëson shkëmbimin elektronik të certifikatave, dhe përmirësimin e SEED aktual për doganat.

CEFTA TRACES NT do të mundësojë gjenerimin dhe përpunimin e certifikatave fitosanitare, veterinare dhe farmaceutike dhe dokumenteve të hyrjes në Palët e CEFTA-s në përputhje me acquis të BE-së dhe praktikat e Shteteve Anëtare të BE-së. Ai gjithashtu do të sigurojë një sistem njoftimesh dhe shkëmbim të shpejtë të informacionit për parregullsinë e ngarkesave me kafshë dhe mallra, duke lehtësuar kështu menaxhimin e riskut të ngarkesave të refuzuara.

SEED+, versioni i përmirësuar i sistemit SEED, do të sigurojë komunikim më të mirë midis administratave të ndryshme doganore në rajon dhe do të krijojë nyje shtesë të shkëmbimit të të dhënave, duke përmirësuar modulet doganore SEED dhe duke përmirësuar menaxhimin rajonal të riskut në dogana.

Ministritë e Tregtisë, administratat doganore, institucionet veterinare dhe fitosanitare, si dhe institutet e shëndetit publik, do të jenë ata që do përfitojnë të parët nga SEED+. Të gjithë përfaqësuesit e palëve të CEFTA-s do të trajnohen për përdorimin e sistemit të ri SEED+, dhe do të marrin mbështetje teknike dhe dokumente të përdoruesit.