Pasi dje shkroi për dinjitetin dhe punëtorët e vërtetë të RTK-së, sot, drejtori i këtij mediumi, Rilind Gërvalla, ka sulmuar mediat e tjera, duke thënë se ka ‘‘portale e zëra që veprojnë jo si pasqyrë e realitetit, por si mjegull e qëllimshme që synon të turbullojë dritën e qartë të së vërtetë’’.
Gërvalla ka thënë edhe se atë nuk e ‘‘ndjekin hijet e aferave, as të korrupsionit, as të pabesisë’’.
I njëjti ka deklaruar se do të vazhdojë të jetë në ‘‘shërbim të së mirës publike, me integritet të palëkundur’’.
Postimi:
Per Nacionalen që ofendon vetë kuptimin e fjalës së bukur shqipe “Kombëtare”, per Paparacin&Periskopin që ju flet vetë emërtimi dhe sejmenet e tyre jashtë e brenda RTK-së
Në një kohë kur shpifja është bërë mjet i lehtë për të ndërtuar imazhe të rreme e për të shkatërruar reputacione të ndershme, unë si Drejtor programor në TV zgjedh të mos u përgjigjem me të njëjtën monedhë. Jo nga frika, se ju e dini sa ua kam frikën, por nga bindja se e vërteta nuk ka nevojë për britma, ndërsa gënjeshtra nuk ngopet asnjëherë me baltë e mbetje.
Ka portale e zëra që veprojnë jo si pasqyrë e realitetit, por si mjegull e qëllimshme që synon të turbullojë dritën e qartë të së vërtetës. Ata që fyejnë, etiketojnë e shpifin në mënyrë të koordinuar nuk më shqetësojnë për vetë faktin se unë nuk kam asgjë për të fshehur. Mua nuk më ndjekin hijet e aferave, as të korrupsionit, as të pabesisë. Ndaj, sulmet ndaj meje janë thjesht një pasqyrim i errësirës së tyre të brendshme.
Filozofi i lashtë Epikteti thoshte: “Nuk janë gjërat që na shqetësojnë, por mendimet tona për to.” Unë nuk lejoj që shpifjet e tyre të formësojnë as mendimin tim për veten, as rrugëtimin tim. Sepse ai që ecën drejt, edhe kur rruga përbaltet, nuk e ndot dot drejtimin e vet.
Do të vazhdoj të jem aty ku gjithmonë kam qenë: në shërbim të së mirës publike, me integritet të palëkundur. Le të më matin me veprat, jo me fjalët që sajojnë ata/ato që nuk kanë vetë vepra për të treguar.
Sepse në fund, koha është gjyqtari më i drejtë. Dhe koha, ndryshe nga portalet e njëanshme, e gazetarët e kartelës mediatike nuk merr urdhra nga askush.