string(95) "pasi-e-shpetoi-sic-eshte-me-se-miri-ismet-munishi-vazhdon-me-dukagjinin-ndoshta-edhe-per-europe"

Futboll

Gazeta Express

29/05/2025 16:17

Pasi e shpëtoi siç është më së miri, Ismet Munishi vazhdon me Dukagjinin – ndoshta edhe për Europë

Futboll

Gazeta Express

29/05/2025 16:17

Ismet Munishi ka treguar edhe një herë guximin dhe përkushtimin e tij si trajner, duke pranuar kërkesën e klubit të Dukagjinit për të vazhduar bashkëpunimin edhe për sezonin e ardhshëm. Vendimi i tij konfirmon vazhdimësinë e një projekti që, në edicionin e fundit, tejkaloi pritshmëritë dhe sfidoi të gjitha parashikimet.

Në fillim të sezonit, pak kush do ta kishte menduar se Dukagjini do ta përfundonte kampionatin në mënyrë kaq dinjitoze. Parashikimet ishin të zymta, klubi nga Klina konsiderohej një prej kandidatëve kryesorë për rënie nga Superliga. Me një fond lojtarësh më modest dhe me burime financiare të kufizuara, klinasit nuk llogariteshin mes ekipeve konkurruese.

Por nën drejtimin e Munishit, gjithçka mori tjetër drejtim. Ai arriti ta mobilizojë ekipin, t’i japë karakter, dhe mbi të gjitha, ta shpëtojë pa kaluar as në barazh. Në një sezon ku ranë emra të mëdhenj si Feronikeli dhe Suhareka, dy klube me investime shumë më të mëdha, Dukagjini ia doli të qëndrojë në elitë me dinjitet.

Jo vetëm që e shmangu rënien, por la prapa vetes edhe ekipe si Llapi, i cili, pavarësisht potencialit më të madh financiar dhe fondit më të gjerë të lojtarëve, përfundoi në barazh. Ky sukses e ka emëruar Ismet Munishin si figurën më të rëndësishme në rrëfimin e këtij sezoni të Dukagjinit.

Me vazhdimin e bashkëpunimit, Dukagjini ka tashmë një bazë solide për sezonin e ardhshëm. Ajo që mbetet është sigurimi i një stabiliteti më të madh financiar dhe afrimi i disa përforcimeve cilësore, që ekipi të mos kënaqet vetëm me mbijetesën, por të synojë edhe arenën ndërkombëtare.

Ambicia e re është e qartë: të ndërtohet një skuadër që jo vetëm qëndron në Superligë, por edhe garon për Evropë.