Lëvizja Vetëvendosje vendosi të respektojë aktgjykimin e fundit të Kushtetueses dhe rregullat që solli ajo për konstituimin e Kuvendit. Partia e Albin Kurtit po ashtu shkoi në seancë edhe me një emër të ri pasi e shteroi për një kohë të gjatë emrin e Albulena Haxhiut, e cila edhe dje u propozua dhe s’mori mbështetjen e nevojshme. Ministren aktualisht në detyrë të Punëve të Jashtme e propozoi për kryeparlamentare në herën e dytë. Për të dyja ato Vetëvendosje ishte e sigurt që s’do t’i merrnin votat duke qenë në njohuri të qëndrimeve të partive tjera se s’votojnë pro për deputetët që shërbyen si ministra në qeverinë e Kurtit. Megjithatë, me lëvizjen me Donika Gërvallën, Vetëvendosje u përpoq të dukej si e interesuar për konstituim të Kuvendit. Por, për shumëkënd, kjo duket të jetë metoda e re e Vetëvendosjes për zvarritje pasi Kurti s’ka bërë ndonjë përpjekje për koalicion.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, në seancën e parë që u mbajt pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërpreu shkeljen e Kushtetutës që e bëri për së paku një muaj rresht.
Ai vendosi të respektojë rendin e ditës, duke e ftuar subjektin më të madh parlamentar që të propozojë emrin për kryeparlamentar në votim të hapur.
Bashkëpartiaku i tij, ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në herën e parë doli sërish për të propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. Pasi ajo dështoi, Konjufca i befasoi kolegët me Donika Gërvallën, emri i së cilës kur u tha shkaktoi të qeshura.
“Mos qeshni, por ju lutem votojeni atë”, tha Konjufca.
Gërvalla mori edhe një votë më pak sesa Haxhiu meqë s’e votoi deputetja Shqipe Selimi, me të cilin është në të njëjtin Grup Parlamentar.
Me qëllimin që të mundësohet konstituimi i Kuvendit dhe të mos mbetet peng i një emri siç ndodhi për disa muaj, Kushtetuesja në aktgjykim urdhëroi që një emër mund të propozohet deri në tri herë.
Dehari s’e ftoi partinë e tij për herë të tretë për të propozuar një emër dhe për të vazhduar përpjekjet për konstituim.
Ai vendosi që të ndërpresë seancën dhe ta ftojë atë pas dy ditësh siç ka bërë zakonisht në muajt e kaluar.
Deri këtu veprimet e Deharit janë kushtetuese.
Kështu i tha Gazetës Express Ehat Miftaraj, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili tha s’mund të konstatohen shkelje nga ana e Deharit për udhëheqjen e djeshme të seancës.
“Z. Dehari dje gjatë udhëheqjes së seancës konstituive nuk ka bërë ndonjë shkelje kushtetuese apo ligjore në aspektin e zbatimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rregullores së punës së Kuvendit. Po ashtu, në aspektin kushtetues dhe ligjor i njëjti është duke vepruar në bazë të kornizës ligjore lidhur me caktimin e seancës brenda 48 orëve. Në këtë drejtim nuk mund të konstatohet se ka shkelje kushtetues ose ligjore”.
Megjithatë, për Miftarajn Dehari dhe partia e tij do të duhej të vazhdonin seancën me propozime të tjera dhe të mos mjaftoheshin me dy propozime, duke parë rrethanat në të cilat gjendet vendi pa institucione të themeluara.
“Sidoqoftë, duke marrë për bazë faktin se Kosova është pa Kuvend të konstituuar që mund të ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore dhe rëndësisë që ka Kuvendi në funksionimin demokratik të institucioneve kushtetuese do të duhej që në radhë të parë LVV dhe z. Dehari të vazhdonin seancën me propozime tjera të kandidatëve të VV-së për kryeparlamentar dhe të mos kufizoheshin vetëm në dy propozime”.
Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar deputetët që të konstituojnë Kuvendin e Kosovës brenda 30 ditëve, duke filluar nga 18 gushti, si dhe duke marrë pjesë në votim. Emri i një kandidati mund të propozohet jo më shumë se tri herë.
Krahas kësaj, Kushtetuesja po ashtu e ka obliguar Vetëvendosjen që të gjejë konsensus dhe të mos e bllokojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Gjykata tashmë, ka theksuar që kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm dhe se kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit”, thuhet në pikën 145 të aktgjykimit.
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë përsëritur edhe dje qëndrimet e tyre se s’votojnë për kandidatë të Vetëvendosjes që kanë qenë pjesë e qeverisë së Kurtit.
Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës ka qëndrim më ndryshe. Ajo thotë se s’ka votë për asnjë kandidat të partisë së Kurtit pa një marrëveshje paraprake.
Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, i cili vetë ka ambicie për të zënë karrigen e të parit të Kuvendit, do të vazhdojë të abstenojë dhe të insistojë për një marrëveshje politike me Vetëvendosjen.