Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbana Pasholli, nga foltorja e Kuvendit sot ka reaguar në lidhje me tentativën e deputetëve të VMRO-së dhe shumicës parlamentare për të ndryshuar ligjin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, me procedurë të shkurtuar në Kuvend.
Sipas kërkesës së koalicionit qeverisës, këtij Inspektorati do t’i hiqet statusi i Personit juridik dhe do të zhvendoset si zgjatim politik i Ministrisë së Drejtësisë.
Deputetja Pasholli tha “ shumica parlamentare po mundohet që të minojë autoritetin dhe pavarësinë e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Nuk befasohem nga qëndrimi i VMRO-DPMNE-së, por e pash që ju kryetar (Afrim Gashi) keni dhënë votën për futjen në rend të ditës për këtë propozim, bashkë me kolegët e VLEN-it. Kur do të vjen momenti për të parë pasojat e këtij veprimi, do të jetë shumë vonë”, u shpreh Pasholli.
Gjithashtu, deputetja Pasholli tha se të gjithë deputetët e “Frontit Europian” do të angazhohen fuqishëm për të pamundësuar shuarjen e këtij Institucioni dhe garantimin e funksionimit të tij në mënyrë të pavarur.