PARALAJMËRIM: Përmbajtje e ndjeshme.
Gerhard Schug kaloi pesë ditë në koma në vitin 2020, pas një tentative për vetëvrasje – një përvojë që, sipas tij, ia ndryshoi rrënjësisht jetën.
Ai beson se gjatë asaj kohe përjetoi një eksperiencë pranë vdekjes, jo me dritë të bardhë apo ndjesi paqeje, por me pamje që i interpreton si ferr.
“Nuk kalova drejt një drite të ndritshme dhe as në një vend të bukur,” ka treguar ai në një intervistë për Thanatos TV EN. “Ishte krejt e kundërta.”

Një vit më parë, në 2019, Gerhardi kishte humbur vajzën e tij të madhe, Tanjën, e cila vdiq nga një emboli pulmonare. Ai dhe vajza e tij më e vogël e gjetën të pajetë në apartament. Humbja e saj, e kombinuar me probleme të rënda shëndetësore – dëmtim të shtyllës kurrizore, sëmundjen e Parkinsonit, sëmundje të mushkërive, si dhe diagnoza të mëparshme si çrregullim bipolar, depresion dhe çrregullim i personalitetit borderline – e zhytën në izolim të thellë.
Ai shtoi shumë në peshë, u mbyll në shtëpi dhe, sipas rrëfimit të tij, jetonte pothuajse i shkëputur nga bota. “Nuk doja të vazhdoja më,” ka thënë ai, duke përshkruar një ndjenjë të fortë vetmie dhe dëshirën për t’u ribashkuar me vajzën e ndjerë.
Pas tentativës për vetëvrasje, Gerhardi përfundoi në terapi intensive. Mjekët i kishin thënë vajzës së tij se kishte pak gjasa të mbijetonte dhe, nëse do të jetonte, mund të kishte dëmtime të rënda në tru. Megjithatë, ai u zgjua.
Ai përshkruan një vizion të fortë: një pallat të madh prej guri, me çati të lartë, ku mbi një fron rrinte djalli. Sipas tij, shpirtrat silleshin me varka dhe paraqiteshin përpara këtij froni. Disa, thotë ai, “përzgjidheshin” dhe shtypeshin nën struktura që i ngjanin kthetrave të luanit, duke prodhuar një zhurmë të tmerrshme.
Gerhardi, i rritur në një familje katolike, pranon se bindjet fetare mund të kenë ndikuar në përfytyrimet e tij, por këmbëngul se përvoja ishte reale për të. “E di që ka njerëz që do ta quajnë delir apo halucinacion, por unë e përjetova,” thotë ai.

Pas zgjimit, këndvështrimi i tij për jetën ndryshoi. Ai thotë se e pa jetën si një dhuratë nga Zoti dhe se nuk e ndien më veten me të drejtë për t’ia marrë atë vetes. “Nëse do ta bëja, do të përfundoja pikërisht atje ku nuk dua – jo me vajzën time, por në ferr,” shprehet ai.
Sot, Gerhardi thotë se jeton me një qasje më pozitive – “gota gjysmë plot” – dhe beson se kur të vijë momenti i tij, do të largohet natyrshëm, jo me dorën e vet.
Eksperiencat pranë vdekjes shpesh interpretohen në mënyra të ndryshme – nga shpjegime shpirtërore te ato neurologjike. Rrëfimi i Gerhard Schug mbetet përvoja e tij personale, por për të, ajo shërbeu si pikë kthese drejt një mënyre tjetër të të jetuarit. /GazetaExpress/