Në zyrën e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tashmë janë mbledhur krerët e institucioneve të sigurisë dhe atyre të drejtësisë, sipas ftesës së saj, pas dy vrasjeve të fundit në vend, raporton Express.
Ekipi i T7 po e përcjell këtë takim, prej ku ka dërguar fotografi. Takimi pritet të fillojë për pak minuta.
Ndryshe, një vrasje ka ndodhur sot në mëngjes në Pejë, ku Gjyljeta Ukelli dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti.
Rastin e vrasjes së sotme për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Kryeprokurori dhje Prokurori i krimeve të rënda së bashku me të gjitha njësitet policore relevante janë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se bashkëshorti e ka vrarë gruan e tij. I dyshuari është arrestuar dhe i është sekuestruar arma, ndërsa në vendin e ngjarjes janë duke u kryer të gjitha hetimet e nevojshme. Jemi në pritje të ekipit të mjekësisë ligjore për të marrë trupin e pajetë”, ka thënë Nikçi për Express.
Një grua është vrarë edhe të premten, në Ferizaj. I dyshuar për vrasjen e saj është ish-bashkëshorti i saj.