Pas vendimit të ZRRE-së, LDK paralajmëron rezolutë për shkarkimin e bordit - Gazeta Express
string(73) "pas-vendimit-te-zrre-se-ldk-paralajmeron-rezolute-per-shkarkimin-e-bordit"

Lajme

Gazeta Express

11/04/2025 19:19

Pas vendimit të ZRRE-së, LDK paralajmëron rezolutë për shkarkimin e bordit

Lajme

Gazeta Express

11/04/2025 19:19

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16%. Në një reagim publik, ai ka paralajmëruar veprime të menjëhershme të Grupit Parlamentar të LDK-së sapo të konstituohet Kuvendi i ri.

Mustafa njoftoi se Grupi Parlamentar i LDK-së do të thërrasë në raportim bordin e ZRRE-së dhe do të kërkojë urgjentisht revokimin e vendimit të miratuar sot. Ai shtoi se kjo çështje do të trajtohet si në komisionet parlamentare ashtu edhe në seancë plenare, ku LDK do të paraqesë një rezolutë për shkarkimin e bordit aktual të ZRRE-së.

“Sapo të konstituohet Kuvendi, do të kërkojmë që bordi ta anulojë menjëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë. Nëse ka deputetë që përfaqësojnë interesat e qytetarëve, atëherë ky bord duhet të shkarkohet,” ka deklaruar Mustafa.

Ai shtoi se nëse bordi aktual nuk tërhiqet nga vendimi, atëherë këtë do ta bëjë bordi i ri, pa asnjë hezitim.

Deputeti i LDK-së theksoi gjithashtu nevojën për një bord profesional dhe transparent në ZRRE, që publikon pasqyrat financiare të KEDS-it dhe KESCO-s, si dhe informon Kuvendin për tregtinë me energji dhe për investimet që KEDS-i është i obliguar të bëjë në rrjet, sipas kontratës.

Advertisement
Advertisement
Advertisement