Ish-drejtori i CIA-së, David Petraeus ka paralajmëruar se Lituania mund të jetë objektivi i radhës i Vladimir Putin, nëse Rusia arrin të fitojë në Ukrainë.
Sipas një raportimi nga DailyMail, gjatë një fjalimi të mbajtur në Londër, Petraeus ka deklaruar se Putin dëshiron të përmbysë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, të vendosë një “kukull politike” në Kiev dhe të marrë kontrollin e plotë mbi vendin.
Ai tutje ka shtuar se: “Sapo ta arrijë këtë, do të shohim fokusimin e tyre tek një nga shtetet balltike”. Duke folur për Lituaninë në veçanti, ai ka thënë se do të jetë një formë testimi për NATO-n.
Petraeus ka shtuar se një sulm ndaj Lituanisë, nuk do të ishte domosdoshmërisht një ngjarje e izoluar, por pjesë e një plani afatgjatë të Kremlinit për të sfiduar Perëndimin. Ndërsa ka rikujtuar se Lituania ka qenë gjithmonë pjesë e retorikës së Putinit në deklaratat e tij.
Sipas DailyMail në të njejtën kohë, Petraeus ka kritikuar ashpër politikat e SHBA-së ndaj Ukrainës, duke theksuar vonesat e pajisjeve ushtarake jetike. Ai ka deklaruar se vonesa të tilla janë shumë “të dëmshme për ukrainasit”, të cilët shpesh kanë pritur me muaj për vendime që në fund janë marrë shumë vonë.
“Edhe një i verbër natën në errësirë do ta kuptonte që duheshin F-16-at”, është shprehur ish-drejtori i CIA-së, duke kritikuar vendimet e vonuara të administratës Trump, si për tanket M1 Abrams, ashtu edhe për avionët luftarakë.
Gjenerali amerikan poashtu ka përmendur përmasat katastrofike të humbjeve të Rusisë në luftë me Ukrainën, duke i përshkruar si “të paimagjinueshme”. Sipas vlerësimeve, që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, janë vrarë ose plagosur rreth 1 milion rusë.