string(127) "pas-thirrjes-se-gruas-se-ish-policit-te-arrestuar-ne-serbi-reagon-mpj-informuam-trupin-diplomatik-ne-vecanti-ambasaden-gjermane"

Lajme

Gazeta Express

11/06/2025 11:43

Pas thirrjes së gruas së ish-policit të arrestuar në Serbi, reagon MPJ: Informuam trupin diplomatik, në veçanti ambasadën gjermane

Lajme

Gazeta Express

11/06/2025 11:43

Pas thirrjeve të gruas së ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili u arrestua në Serbi ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. K

Kjo Ministri ka thënë se përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi “po ndjek me vëmendje të shtuar” zhvillimet rreth arrestimit të Spahiut dhe se kanë informuar gjithë trupin diplomatik, ndërsa shtoi se në veçanti janë në kontakt me ambasadën gjermane meqë Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani”, thuhet në reagimin e MPJD-së.

“Z. Spahiu u arrestua më 7 qershor 2025 nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa po udhëtonte me autobus së bashku me familjen e tij, duke u kthyer nga Austria. Më 9 qershor, rreth orës 20:00, ai doli para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Suboticë, ku iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Aktualisht, z. Spahiu ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë. Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, akuzat e ngritura ndaj z. Spahiu kanë të bëjnë me rastin e Banjskës. Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij”.

MPJD tha se ambasadori Jashari bashkë me avokatin e angazhuar nga familjarët e Spahiu, Arianit Koci, do të udhëtojnë më 11 qershor, në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare.

“Përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek z. Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë. Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse”.

Kjo Ministri tha se “Republika e Kosovës do të vazhdojë të shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Republikës së Kosovës të marrë fund, dhe që z. Spahiu të lirohet sa më parë”./Express/