Ndërsa zjarret përfshinë Shqipërinë javën e kaluar, banorët u detyruan të largoheshin me ngut për të shpëtuar jetën, pa patur kohë të shpëtonin bagëtinë e tyre.
Tashmë që flakët janë shuar, disa vullnetarë po e përqendrojnë vëmendjen tek kujdesi për kafshët e djegura.
Shtetasja zvicerane Maria Cristina Medina, e cila drejton strehën për kafshë Tierhilfe pranë kryeqytetit Tiranë, vëzhgonte ndërsa një veteriner i injektonte antibiotikë dhe i aplikonte pomadë një kali të djegur në Delvinë, një nga zonat më të goditura në jug të vendit.
“Delvina ka shanse të mira për të mbijetuar, pasi mushkëritë nuk i janë dëmtuar, dhe ajo po lufton për jetën,” tha Medina. Kali i plagosur, i cili tashmë mban emrin e qytetit, filloi të hajë dhe të pijë pas trajtimit.
Edhe një gomar i djegur po trajtohet nga ekipi.
Medina tha se ka marrë një seri të vazhdueshme telefonatash, të shoqëruara me foto të kafshëve të djegura, shumë prej të cilave u desh të eutanazoheshin për shkak të dëmtimeve të rënda.
“Pashë fotografi të kafshëve të djegura dhe qava, madje edhe kam vjellë, por më pas u përmbajta dhe vazhdova, sepse atyre u duhet ndihma ime,” tha ajo.
Ajo dhe ekipi i saj më vonë u nisën drejt fshatit Skënderbegas, rreth dy orë larg Tiranës në lindje të vendit, për të kontrolluar për kafshë të tjera të djegura.
Më shumë se 30 shtëpi dhe stalla u shkatërruan në fshat dhe shenjat e shkatërrimit janë të dukshme, me skelete dhish, lopësh dhe gomarësh të shpërndara mes rrënojave.
“Flakët mbërritën aq shpejt. Po nxitonim të shpëtonim fëmijët, por nuk arrita ta zgjidh lopën,” tha Manjola Doçi, lopës së së cilës, një muaj shtatzënë, i ishin djegur pjesë të mëdha të trupit.
Një fqinj humbi të gjitha 12 dhitë e tij, një tjetër tre lopë një humbje e rëndë në një zonë ku kafshët janë shpesh burimi kryesor i ushqimit dhe i transportit për banorët./ Nga Fatos Bytyci and Florion Goga Reuters