Pas shpalljes kampion me Prishtinën 01, Ferid Agushi në sytë e të gjithëve - Gazeta Express
string(73) "pas-shpalljes-kampion-me-prishtinen-01-ferid-agushi-ne-syte-e-te-gjitheve"

Sport

Gazeta Express

20/06/2025 17:05

Pas shpalljes kampion me Prishtinën 01, Ferid Agushi në sytë e të gjithëve

Sport

Gazeta Express

20/06/2025 17:05

Pas dy edicioneve të jashtëzakonshme me FC Prishtina 01, trajneri Ferid Agushi po tërheq gjithnjë e më shumë interesimin e skuadrave brenda vendit, por edhe nga jashtë kufijve të Kosovës.

I njohur si arkitekti i lavdisë së klubit në skenën vendore dhe respektit të fituar në arenën ndërkombëtare, Agushi po shihet si një nga figurat më të çmuara të tregut aktual të trajnerëve në futsall.

Gjatë këtyre dy viteve të fundit, Prishtina 01 ka qenë forca mbizotëruese në kampionatin vendor nën udhëheqjen e tij – duke fituar dy herë titullin e kampionit të Kosovës dhe po ashtu dy herë Kupën e Kosovës, një sukses i rrallë në historinë e këtij sporti.

Momenti kulmor i arritjeve erdhi në skenën evropiane, ku skuadra bëri paraqitje të jashtëzakonshme në UEFA Futsal Champions League – duke kaluar fazën preliminare dhe atë kryesore (main round), për të siguruar një vend në Elite Round – Top 16 të kontinentit, përballë emrave të mëdhenj të futsallit evropian.

Disa klube të njohura nga jashtë Kosovës kanë shprehur interes konkret për të pasur Agushin në stafin e tyre, raporton “Open TV”.

Aktualisht nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar, por sinjalet janë të qarta: trajneri është tashmë në shënjestrën e klubeve të fuqishme, të cilat e shohin në të një lider me përvojë ndërkombëtare dhe një fitues të dëshmuar.

Nga ana tjetër, vetë Agushi ka zgjedhur të ruajë heshtjen për të ardhmen e tij, ndonëse disa nga postimet e fundit në rrjetet sociale kanë nxitur spekulime.

“Kur ke dhënë gjithçka nga vetja, dhe kur ke arritur majat me një zemër të pastër, vjen një moment kur nuk flasin më trofetë – por heshtja.”

E ardhmja e Agushit mbetet e paqartë, por një gjë është e padiskutueshme: vlera dhe reputacioni i tij janë rritur në mënyrë të ndjeshme.

Nëse Prishtina 01 dëshiron të vazhdojë këtë rrugëtim të lavdishëm, do të duhet të ndërmarrë hapa seriozë – sepse trajneri kampion është objektiv i rëndësishëm për shumë klube që synojnë jo vetëm rezultate, por edhe një identitet të qartë sportiv./GazetaExpress/