Me qëllim për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga lufta, vendet e Bashkimit Evropian i kanë dhënë dritën e gjelbër heqjes së sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë.
Bazuar në deklarata të disa diplomatëve evropianë, Al Jazeera raporton se ambasadorët nga 27 vendet anëtare të BE-së kanë arritur një marrëveshje paraprake për këtë hap, i cili pritet të shpallet zyrtarisht nga ministrat e jashtëm që do të mblidhen në Bruksel më vonë gjatë së martës.
Kujtojmë se ky vendim vjen pas njoftimit të javës së kaluar për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë nga SHBA-të.
Ndërkohë, duke raportuar nga selia e BE-së, Hashem Ahelbarra i Al Jazeera-s, e ka përshkruar marrëveshjen e raportuar për heqjen e sanksioneve si një zhvillim “me rëndësi të madhe”.
“Së pari, është një pranim se BE e njeh autoritetin që po vepron tani në Siri, dhe se ka nevojë për më shumë transaksione financiare për të hapur rrugën drejt krijimit të stabilitetit financiar dhe përmirësimit të standardeve të jetesës së popullit sirian,” është shprehu ai.
Rikujtojmë se udhëheqja e re e vendit ka kërkuar nga Perëndimi që të lehtësojë kufizimet për të ndihmuar Sirinë të rimëkëmbet nga vitet e sundimit despotik dhe luftës civile. Ndërsa, lëvizja më e fundit nga BE-ja vjen pas hapit të saj të parë në shkurt, kur pezulloi disa sanksione ndaj sektorëve kyç ekonomikë të Sirisë.
Megjithatë, bëhet e ditur se zyrtarët evropianë kanë thanë se këto masa mund të rivendosen nëse udhëheqësit e rinj të Sirisë shkelin premtimet për të respektuar të drejtat e pakicave dhe për të ecur drejt demokracisë.